Kapen armë zjarri dhe municione, në një parking në Rrugën e Rinasit u arrestuan pesë të rinj nga blutë e Tiranës, mes tyre një ish-efektive e Burgjeve. Të gjithë të prangosurit e operacionit policor të koduar “Repishti” janë nga Malësia e Madhe. Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin M.H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krehër e municion luftarak. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për t’i shitur tek persona të tjerë.
Drejtoria Vendore e Policisë në Tiranë njoftoi sot se Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për disa shtetas që dyshohej se transportonin armë zjarri, nga Shkodra drejt Tiranës, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repishti”.
Si rezultat i tij në një parking në Rrugën e Rinasit, u kapën dhe u arrestuan shtetasit: S. H., 22 vjeç, R. N., 18 vjeç, D. H., 22 vjeçe, D. H., 18 vjeç dhe M.H., 26 vjeç, të gjithë banues në Malësi të Madhe.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin tip “BMW” me drejtues shtetasin M.H. Gjatë kontrollit të automjetit dhe në një valixhe në bagazh, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 armë zjarri (4 automatikë dhe 5 pushkë) me krehër e municion luftarak.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas pasi i kishin siguruar armët në Shkodër, i kishin sjellë në Tiranë për t’i shitur tek persona të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla u shpreh sot se, “Policia e Shtetit vijon të godasë sistematikisht fenomenin e armëmbajtjes pa leje, i cili mbetet burim për ngjarje kriminale”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Balla theksoi se, “goditja e rrjeteve që furnizojnë grupet kriminale me armë apo ndalimi i shtetasve që qarkullojnë me armë janë detyrë kryesore e Policisë”.
Falë hetimit të Drejtorisë Vendore të Policisë është identifikuar dhe ndalur një grup kriminal prej pesë personash, të cilët trafikonin armë zjarri dhe municione nga Shkodra drejt Tiranës.