Aktualitet

Tiranë, 4 gjeorgjianë në kërkim për vjedhjen e 220 mijë eurove një taksisti!

Operacioni policor “Taxi”, blutë e Tiranës kanë zbardhur vjedhjen e rreth 220 mijë eurove, që një javë më parë po transportoheshin nga një taksist në rrugën “Ibrahim Rugova” në kryeqytet, në zonën e ish-Bllokut. Në kërkim u shpallën katër shtetas gjeorgjianë, të cilët në vendin tonë hynë nga Maqedonia e Veriut përmes një makine të marrë me qira. Për të realizuar vjedhjen e parave, grabitësit përdorën edhe një motor të blerë te po një i huaj. Materialet i kaluan Prokurorisë.

Njoftimi zyrtar: 

Finalizohet operacioni policor i koduar “Taxi”, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore vjedhja e një shume parash në një taksi në rrugën “Ibrahim Rugova”, më datë 04.10.2024.

Punohet për kapjen e katër shtetasve gjeorgjianë, autorë të dyshuar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 04.10.2024, ku në zonën e ish-Bllokut, disa shtetas kanë vjedhur një shumë parash në një taksi, kanë organizuar punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes e identifikimin e autorëve të dyshuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Taxi”.

Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të këtij operacioni, ka rezultuar se autorë të dyshuar të kësaj vjedhje janë shtetasit L. K., 30 vjeç, T. N., 36 vjeç, N. K., 30 vjeç, dhe Y. B., 31 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane, për të cilët po punohet për kapjen dhe arrestimin e tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një motomjet, si dhe është shpallur në kërkim një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së kësaj ngjarje.

Materialet i kaluan Prokurorisë.