Bota Botë e Çuditshme

Tiparet nuk përputhen me njeriun aktual, gjendet kafka e para 300,000 viteve!

Shkencëtarët duket se janë afër zbulimit të një specieje njerëzore të panjohur deri më tani, sipas hulumtimeve të reja. Një ekip ndërkombëtar studiuesish nga Kina, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar studiuan fosilet e një fëmije, i cili, bazuar në llogaritjet e shkencëtarëve, jetoi rreth 300,000 vjet më parë në rajonin Hualongdong të Kinës.

Studimi, i publikuar në “Journal of Human Evolution”, thekson se fosilet që shkencëtarët studiuan ishin kocka të nofullës, kafkës dhe këmbëve, ndërsa ajo që u bëri përshtypje është se tiparet e fytyrës që ata analizuan nuk përputheshin me të dhënat gjenealogjike. Për këtë arsye ata besojnë se kanë gjetur një lidhje të panjohur në pemën familjare të evolucionit njerëzor.

Tipari i gjetur në kafkë që i çoi shkencëtarët në këtë përfundim ishte se ajo“nuk kishte mjekër të vërtetë. Bazuar në këtë veçori, studiuesit thonë se ajo është më e ngjashme me Denisovans, një specie e zhdukur e njeriut të lashtë në Azi që u nda nga Neandertalët 400,000 vjet më parë.

Gjymtyrët, kapaku i kafkës dhe nofulla, që ka të ngjarë t’i përkisnin një fëmije 12 ose 13-vjeçar, duket se të gjitha pasqyrojnë tipare më primitive. Megjithatë, pjesa tjetër e fytyrës së fëmijës kishte tipare që dukeshin më shumë si njerëzit modernë.