Sot në mbledhjen e radhës së Komisionit Hetimor për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS, në rendin e ditës janë gjashtë seanca dëgjimore me dëshmitarë të votuar nga komisioni hetimor për t’u marrë në pyetje lidhur me çështjen. Në nisje, kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti demokrat, Ervin Salianji u shpreh se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë opozitës sa i takon mënyrës se si funksionojnë komisionet hetimore.
Më tej, Salianji tha se maxhoranca ka qenë në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës për një seri vendimesh të marra gjatë punimeve në komision.
Jeni në anti-kushtetutshmëri! Edhe mbledhjet e mbyllura që janë bërë me demek se kishte sekret hetimor, kanë qenë në shkelje të ligjit. Ose duhet të zbardhen procesverbalet ose duhen ribërë takimet, tha Salianji.
Nënkryetari i Komisionit Hetimor, deputeti socialist, Toni Gogu reagoi në përgjigje të deklaratës së Salianjit dhe vuri në dukje se vendimi i Gjykatës Kushtetues duhet të lexohet drejt e duhet që të kalojë përmes rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.
Ju po kërkoni të bëni politikë me atë vendim. Ju doni t’i vini shoshë paligjshmërisë që kemi parë në këtë komision, tha Gogu. Duke u kthyer tek pretendimet tuaja, ky komision ka zbatuar ligjet në fuqi dhe standardet për të cilat Gjykata Kushtetuese ka folur.
Por, në momentin kur dëshmitarët deklarojnë se informacioni që disponojnë dhe paraqesin në këtë komision, cënon jetën profesionale apo individuale të njerëzve, patjetër që ne do të marrim vendimin, sipas kompetencave që jep ligji.
Ja lëmë Këshillit të Legjislacionit të vlerësojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do jetë ai këshill që do të vendosë si do të veprohet. Nëse ligji do të ishte antikushtetues, duhej të ishte shfuqizuar i gjithi, por ligji është në fuqi.
Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, pati një kërkesë procedurale për shtyrjen e afateve të Komisionit Hetimor. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet duke rimarrë në pyetje dëshmitarët apo duke i hapur procesverbalet e dëshmive për publikun.
Deputeti i PS-së, Xhemal Qefalia tha se çështje sensitive për sigurinë kombëtare, nuk mund të fliten publikisht.
Disa çështje janë sensitive, prekin sigurinë kombëtare dhe dëshmitë e tyre duhet të mbahen jo në publik. Infot për sigurinë kombëtare nuk dalin në mexhelis.
Ervin Salianji:
E keni vendimmarrjen këtu, mos u fshihni si struci! Nuk bëni një dëshmi publike. Çfarë ka sekret këtu, se janë punësuar policë të paligjshëm? Çfarë ka sekret shtetëror? Që drejtori i sistemit TIMS mund të jetë përdorur nga grupet kriminale? Duhet transparencë, që në të ardhmen të kenë frikë të bëjnë këto veprime. Të kenë edhe përgjegjësi publike për atë që thonë. Do të mbajnë përgjegjësi një më një, kjo është e sigurt!
Zhvillimi i seancave dëgjimore me dëshmitarët:
1. Ora 10:00 – Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale
2. Ora 11:00 – Genti Gazheli, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave
3. Ora 12:00 – Edmond Rrushi, Drejtor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit
4. Ora 13:00 – Luneda Sufali, Kryeinspektore e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor
5. Ora 14:00 – Ardian Bali, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
6. Ora 15:00 – Ervin Koçi, Drejtor i Përgjithshëm i Parandalimit dhe Pastrimit të Parave