Bota Tech

TikTok përballet me të tjera akuza nga Amerika/Shkak privatësia e fëmijëve!

“Aplikacioni për ndarjen e videove TikTok dhe kompania e tij mëmë kineze “ByteDance” nuk arritën t’i ndalonin fëmijët të bashkoheshin me platformën dhe mblodhën në mënyrë të paligjshme të dhënat e tyre personale”. Pretendimi vjen nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një padi të ngritur së fundi.

Departamenti, me Komisionin Federal të Tregtisë (FTC), ngriti një padi civile duke pretenduar shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Privatësisë në internet të Fëmijëve.

Akti i ndalon operatorët e faqeve të internetit që me vetëdije të mbledhin, përdorin ose zbulojnë informacione personale nga fëmijët nën moshën 13 vjeç, përveç rastit kur ata marrin pëlqimin nga prindërit e atyre fëmijëve.

Po ashtu kërkon që operatorët e faqeve të internetit të fshijnë informacionin personal të mbledhur nga fëmijët me kërkesën e prindërve të tyre.

Departamenti i Drejtësisë është i përkushtuar të mbështesë aftësinë e prindërve për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve të tyre, tha zëvendësndihmës Prokurori i Përgjithshëm, Brian Boynton, kreu i Divizionit Civil të Departamentit të Drejtësisë.

Ky veprim është i nevojshëm për të parandaluar të pandehurit, të cilët janë autorë të përsëritur dhe veprojnë në një shkallë masive, nga mbledhja dhe përdorimi i informacionit privat të fëmijëve të vegjël pa asnjë pëlqim apo kontroll prindëror, shtoi ai.

Në një deklaratë, TikTok vuri në dukje se nuk bie dakord me akuzat, duke deklaruar se shumë raste të lidhura me ngjarjet dhe praktikat e kaluara, në fakt ishin të pasakta ose janë adresuar.

Ne jemi krenarë për përpjekjet tona për të mbrojtur fëmijët dhe ne do të vazhdojmë të përditësojmë e përmirësojmë platformën, thuhet në një deklaratë.

Në vitin 2019, TikTok ra dakord të paguante 5.7 milion dollarë për të zgjidhur akuzat e FTC-së kundër kompanisë paraardhëse të saj, “Musical.ly”, në lidhje me mbledhjen e të dhënave nga fëmijët nën moshën 13 vjeç, pa pëlqimin e prindërve.

TikTok është aktualisht i përfshirë në një betejë të veçantë ligjore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me një ligj të propozuar e që do të detyronte një ndryshim të pronësisë.