Prilli nuk ka qenë muaji më i mirë për kompaninë Meta por aksionet e Facebook janë rritur. TikTok duket se është për momentin rivali më i fortë i META në rang global, që po rritet me ritme të frikshme sa i takon numrit të përdoruesve. Po ashtu edhe Google raportoi rezultate të kënaqshme, me shitjet digjitale shumë më lart nga sa pritej e me rritje të kërkesës për shërbime në I-Cloud.
Edhe Microsoft tejkaloi parashikimet e analistëve të Wall Street Journal dhe tha se produktet e Inteligjencës Artificiale po stimulojnë shitjet. Të ardhurat e Microsoftit u rritën me 8% në 52.9 miliardë dollarë në tremujorin e përfunduar në mars, duke rritur vlerësimet e mëparshme të analistëve prej 51.02 miliardë dollarësh, sipas Refinitiv.
Meta mbetet ende nën rrezik, pasi drejtuesit e kompanisë janë të detyruar, sipas planeve vjetore buxhetore, të shkurtojnë 21 mijë vende pune. Kompania i tkurri parashikimet e saj për shpenzimet vjetore për këtë vit, në 86 miliardë dollarë, nga 92 miliardë që kishte paralajmëruar më herët. Edhe të ardhurat për tremujorin e parë të këtij viti, ranë në 29.5 miliardë dollarë, nga 32 miliardë e të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Ndërkaq, nëse keni qenë përdorues të Facebook nga maji i vitit 2007 deri në dhjetor të vitit 2022, atëherë ju jeni përfitues i një shpërblimi që gjiganti i rrjeteve sociale ju detyrohet. Bëhet fjalë për një pagesë prej 725 milionë dollarësh që Meta pranoi të paguante në një padi në grup. Sipas DailyMail, përdoruesit e kualifikuar janë ata që kishin një llogari në Facebook nga 24 maj 2007 deri më 22 dhjetor 2022, duhet të paraqesin një kërkesë drejt “Meta”, deri më 25 gusht 2023.