Aktualitet Sport

Tifozët shqiptarë grisin e djegin flamurin serb para ndeshjes Shqipëri-Spanjë!

Ndërsa mijëra shqiptarë ndodhen në Dyseldorf të Gjermanisë për ndeshjen Shqipëri-Spanjë të Grupit B në “Euro 2024”, dy prej tyre janë fotografuar duke grisur dhe djegur flamurin serb në një prej zonave ku janë mbledhur, për të mbështetur skuadrën e zemrës. Mbi 20 mijë tifozë pritet të mbështesin Kombëtaren në stadiumin e Dyseldorfit, në ndeshjen e fundit brenda të ashtuquajturit “grupi i vdekjes”, pas përballjes me Italinë dhe më pas me Kroacinë, respektivisht në datat 15 e 19 qershor.

Një ditë më parë, Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA vendosi të gjobisë sërish Federatën Shqiptare të Futbollit me shumën 47 mijë e 500 euro për shkak të incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes së raundit të dytë në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024” ndaj Kroacisë, e luajtur në stadiumin e Hamburgut më 19 qershor 2024.

Përsëri, gjoba ka ardhur nga problematika e shkaktuar nga disa tifozë shqiptarë, të cilët ndezën flakadanë gjatë takimit, transmetuan mesazhe të papërshtatshme në sfidën Kroaci-Shqipëri, si edhe për ndërprerjen e ndeshjes nga një tifoz gjatë zhvillimit të lojës.

Edhe njëherë tjetër, Federata e Futbollit gjeti rastin t’iu bënte apel të gjithë tifozëve shqiptarë që të jenë më të përgjegjshëm dhe të shmangin krijimin e këtyre incidenteve e trazirave totalisht të evitueshme, që mund të sjellin penalitete financiare dhe dëmtojnë imazhin e Shqipërisë dhe futbollit shqiptar.

Po ashtu, FSHF-ja bëri me dije se gjatë ndeshjeve nuk lejohen mesazhet me natyrë jo sportive (politike, etnike, etj). FSHF-ja ftoi tifozët dhe futbolldashësit të mbështesin deri në fund Kombëtaren Shqiptare në këtë rrugëtim magjik dhe historik në EURO 2024, duke treguar qytetari dhe përgjegjshmëri përmes një sjellje korrekte e duke respektuar rregullat dhe kundërshtarët.

Vendimet e plota të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në UEFA:

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 2500 euro për ndezjen e fishekzjarreve.

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 20.000 euro për pushtimin e fushës.

Të gjobisë Federatën Shqiptare të Futbollit me 25.000 euro për transmetim e mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive.

Po ashtu, sot Shqipëria do të jetë pa sulmuesin Mirlind Daku, i cili u dënua me dy ndeshje pasi pak ditë më parë drejtoi tifozët në thirrje raciste.