Në studion e “Live From Tirana” është diskutuar më tepër mbi veprat e Ismail Kadare. Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut. Letërsisë shqipe do t’i mungojë kryemjeshtri, letërsisë europiane do t’i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni; qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha. Ismail Kadare është shkrimtari më i rëndësishëm i letërsisë shqipe që prej fillimeve dhe përgjatë pesë shekujve të jetës së saj. Vepra e tij përbën një shtyllë të letërsisë shqipe. Për nder të tij, në studion e “Live From Tirana” janë sjellë disa nga poezitë e tij më të njohura. Një ndër to është “Ti ishe për mua”, e cila u recitua nga Klei Gërmenji.
Ti ishe për mua
Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske.
Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.
Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske.