Që kur “Disney” bleu të gjithë ekskluzivitetin e “Star Wars” nga George Lucas, kompania zgjodhi producenten Kathleen Kennedy për të udhëhequr projektin e ri. Ajo ka pasur të gjithë përgjegjësinë e filmit për dekadën e fundit. Por dështimet e fundit të filmave e kanë vendosur atë në një pozitë të vështirë dhe shumë fansa po kërkojnë dorëheqjen e saj. Sipas një raporti të ri, ka zëra se Kennedy së shpejti do të largohet nga roli i saj si presidente e “LucasFilm”.
Youtuber-i John Campea raportoi se “Disney” kishte marrë tashmë vendimin për të përfunduar kontratën e Kathleen Kennedy pasi Bob Iger u njoftua se do të kthehej si CEO i “Disney”. Ai bëri një pauzë të shkurtër pasi Bob Chapek ‘i vodhi’ punën dhe gati sa nuk e falimentoi “Disney”-n. Në këndvështrimin e fansave të “Star Wars”, Kennedy duhet të kishte lënë pozicionin e saj që kur “The Rise of Skywalker” doli në kinema dhe dështoi në mënyrë spektakolare. Edhe pse kjo do të mbetet një thashethem, të gjitha këto ndryshime të Disney-t parashikojnë një ndryshim të mundshëm edhe tek “LucasFilm”.
Dilema e vërtetë është se kush do ta marrë rolin e saj brenda “LucasFilm” nëse këto thashetheme janë të vërteta. Ka dy mendje krijuese brenda kastit të “Star Wars”, të cilët kanë krijuar përmbajtjen më të mirë për “Disney Plus” për disa vite rresht. Këta nuk janë askush tjetër veçse John Favreou dhe Dave Filloni. I pari ka qenë regjisor dhe producent i disa prej filmave më të mëdhenj të realizuar për kinematë në 20 vitet e fundit. Ndërsa Dave Filloni është studenti më i përgatitur i regjisorit George Lucas në të gjitha gjërat që lidhen me Star Wars. Ata të dy kanë krijuar shfaqjet e njohura si “The Mandalorian”, “Book of Bobba Fett” dhe seritë “Obi-Wan Kenobi”. Së bashku, ata janë dyshja perfekte që më në fund mund ta bëjnë këtë udhëtim tregimtar drejt hapit tjetër të madh. Kathleen Kennedy është një legjendë brenda industrisë së filmit, por ajo ka dëshmuar vazhdimisht se nuk është aq e aftë në “Star Wars” sa njerëzit shpresonin se ishte.