U paralajmërua se do të vinte si rivali i Twitter-it dhe tani është zyrtar. Threads po debuton me sukses pas prezantimit nga Meta, pronari gjigant i Facebook-ut dhe Instagram-it. Jehona ishte e madhe, 10 milion përdorues në vetëm 7 orët e para për konkurrentin më të rrezikshëm për platformën në pronësi të Elon Musk-ut. Të dhënat i zbuloi Mark Zuckerberg.
Në të parin postim në platformën e re, CEO i Meta-s dhe themeluesi i Facebook-ut, Mark Zuckerberg shkroi:
Le ta bëjmë atë. Mirë se vini në Threads! Sapo kaluam 5 milion regjistrime në katër orët e para.
Për aplikacionin e ofruar nga Meta, dimë se me emrin e koduar “Project 92”, kishte punuar me muaj në planin e nisjes për platformën. Por, numërimi mbrapsht për Threads-in filloi pasi pa rivalin Twitter në telashe. Threads, i cili bazohet në modelin e Instagram-it ofron një sërë përfitimesh, duke përfshirë bazën e tij të madhe të përdoruesve, si dhe marrëdhëniet e forta me reklamuesit. Përveç kësaj, të gjitha llogaritë publike mund të ndiqen pa kërkuar miratim nga pronari.
Por, Europa do të duhet të presë
Aplikacioni është i disponueshëm në më shumë se 100 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Australinë, Kanadanë e Japoninë. Por, fillimisht nuk do të shkarkohet në Europë dhe kjo për shkak të politikës kufizuese të përdorimit të të dhënave. Postimet janë të kufizuara në 500 karaktere, që është më shumë se pragu prej 280 karakteresh i Twitter-it dhe po ashtu mund të përfshijë lidhje, foto e video deri në pesë minuta të gjata.