Sport

Thirrjet nacionaliste kundër Kosovës/ UEFA dënon ashpër Serbinë, 52,500 euro gjobë

UEFA ka dënuar me 52,500 euro Federatën e Futbollit të Serbisë, këtë të premte, për shkak të sjelljeve të tifozëve, që nuk respektuan himnin e Zvicrës, përhapen thirrje Anti-Kosovë dhe përçuan mesazhe me sjellje raciste apo diskriminuese.

Zvicra pësoi humbje në përballjen ndaj Serbisë në muajin tetor në kuadër të Ligës së Kombeve, por ndeshja në Leskovac mori vëmendje për shkak të sjelljeve jo të mira të tifozëve vendas, që tashmë janë të përsëritura ndër vite.

Në përballjen e 12 tetorit prezent ishte edhe Aleksandar Vuçiç, aty ku u shfaqën parulla kundër Kosovës, u ofendua himni i Zvicrës dhe pati gjatë gjithë kohës thirrje raciste.

Ndeshjet mes Serbisë dhe Zvicres ndër vite janë karakterizuar me probleme, kjo më shumë për shkak të prezencës së lojtarëve me prejardhje nga Kosova, si rasti i fundit, Granit Xhaka.

Federata e Serbisë do të jenë në mbikëqyrje që nëse raste të njëjta përsëriten gjatë dy viteve të ardhshme, atyre do t’u mbyllet një pjesë e stadiumit.

Dënimet nga UEFA-s:

1. Të gjobisë Federatën e Futbollit të Serbisë me 25,000 euro dhe të urdhërojë mbylljen e pjesshme të stadiumit të Federatës së Futbollit të Serbisë, i cili do të përbëhet nga të paktën 4,000 ulëse, gjatë një (1) ndeshjes së radhës të garës së UEFA-s në të cilën luan Federata e Futbollit të Serbisë. si shoqatë pritëse, për sjelljen diskriminuese të mbështetësve të saj. Mbyllja e pjesshme e stadiumit pezullohet për një periudhë provuese prej dy (2) vitesh, duke filluar nga data e këtij vendimi.

2.Të gjobisë Federatën e Futbollit të Serbisë me 10 mijë euro për shkak të trazirave gjatë intonimit të himneve kombëtare.

3.Të gjobisë Federatën e Futbollit të Serbisë me 17,500 euro për transmetimin e një mesazhi provokues të papërshtatshëm për një ngjarje sportive.

Shënim: Masat disiplinore nën një periudhë prove nuk janë të efektshme menjëherë, por mund të zbatohen nëse “një shkelje e mëtejshme e natyrës së ngjashme kryhet gjatë periudhës së provës” (Neni 26(3) i Rregullores Disiplinore të UEFA-s).

Top Channel