Bota

Thirrje për armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian me aleatë bëjnë thirrje për armëpushim të përkohshëm në Liban, pas përshkallëzimit të luftimeve mes Izraelit e Hezbollahut. Kërkohet ndërprerje e menjëhershme 21-ditore e sulmeve, që të “mundësohet hapësirë drejt zgjidhjes diplomatike” dhe një armëpushimi në Rripin e Gazës.

Në një komunikatë të përbashkët, thuhet se luftimet janë të “patolerueshme” dhe paraqesin “rrezik të papranueshëm për një përshkallëzim rajonal”, që nuk është në interes të popullit të Izraelit e as të Libanit. Kërkesa vjen pasi ushtria izraelite deklaroi se bombardimet ndaj shënjestrave të Hezbollahut mund të hapin rrugën për ofensivë tokësore në Liban.

Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Bashkimi Europian, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe, si dhe Katari.

Amerika shpreson se armëpushimi i përkohshëm mund të çojë drejt stabilitetit afatgjatë përgjatë kufirit mes Izraelit dhe Libanit. Qindra mijëra njerëz janë detyruar të shpërngulen nga shtëpitë e tyre si pasojë e luftimeve mes Izraelit e Hezbollahut. Ato u përshkallëzuan javën e kaluar duke nxitur frikën për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Më shumë se 600 njerëz janë vrarë në Liban nga e hëna, kur Izraeli filloi bombardimet e pareshtura për ta shkatërruar atë që e quan “infrastrukturë të ndërtuar nga Hezbollahu prej luftës së fundit mes tyre më 2006”-ën.

Rreth 90 mijë njerëz në Liban janë zhvendosur vetëm këtë javë, sipas OKB-së. Rreth 40 mijë të tjerë jetojnë në vendstrehime në territorin e vendit. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se synojnë ta përdorin armëpushimin trejavor për të rifilluar bisedimet e bllokuara për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit e për lirimin e pengjeve.

Hamasi është një tjetër grup i mbështetur nga Irani, por i shpallur “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. Hezbollahu filloi të hedhë raketa drejt Izraelit në mënyrë të përditshme pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi.

Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe konflikti u rrit që atëherë. Hezbollahu ka thënë se do të vazhdojë të kryejë sulme ndaj Izraelit derisa të arrihet një armëpushim në Rripin e Gazës.

Militantët e Hamasit hynë në jug të Izraelit më 7 tetor dhe vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë. Po ashtu rrëmbyen 250 të tjerë. Lufta e Izraelit në Gaza ka lënë të vrarë mbi 41.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.