Aktualitet Travel

“The New Daily”: Si po kthehet Shqipëria në destinacionin e madh të turizmit europian?

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve vitet e fundit, falë kaluarës së saj historike dhe zhvillimit të turizmit dentar, shkruan Sezen Bakan në një artikull të botuar në të përditshmen australiane “The New Daily”. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit e katërta në nivel global për rritjen më të madhe të numrit të turistëve ndërkombëtarë, pasi shënoi një rritje prej 56% krahasuar me vitin 2019, sipas Organizates Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara.

Kompania e udhëtimit “Intrepid Travel” raportoi rritje mbi 30% në rezervimet për udhëtimet në Shqipëri mes viteve 2023-2024.

Duke qenë se Shqipëria hapi dyert për vizitorët vetëm 30 vjet më parë, mbetet kryesisht e paprekur, me shumë më pak turistë se Greqia ose Kroacia fqinje, tha drejtuesja e projektit të “Intrepid Travel”-it, Dyan Mckie. Me peizazhe të gjera që variojnë nga qytetet buzë plazhit deri te qytetet plot gjallëri, produktet e freskëta vendase, bujqësia e qëndrueshme dhe ushqimet e gatuara në shtëpi, Shqipëria ofron shumëllojshmërinë dhe përvojat që u pëlqejne vizitorëve. Eshtë një vend që ende ndihet si një zbulim.

Udhëtimet tona në Shqipëri ofrojnë alternativë më buxhetore se shumë destinacione të tjera evropiane, me një kosto mesatare ditore prej rreth 288 dollarësh krahasuar me mbi 400 dollarë në vende si Spanja, Italia apo Greqia. Eshtë një atraksion i madh për turistët që kërkojnë përballueshmërinë pa kompromentuar përvojën.

Rritja e fundit e turizmit është shumë larg “personalitetit” të mëparshëm të Shqipërisë si një diktaturë komuniste e mbyllur. Gjatë kulmit të sundimit komunist, diktatori Enver Hoxha mbylli kufijtë e vendit dhe ndërtoi qindra mijëra bunkerë. Mbikëqyrja shtetërore dhe brutaliteti i dha Shqipërisë pseudonimin “Koreja e Veriut e Europës”.

Pas tre dekadash, që kur Shqipëria u bë demokraci, turistët janë të lirë të eksplorojnë të kaluarën magjepsëse të një vendi që ka parë ngritjen dhe rënien e qytetërimeve që datojnë mijëra vjet më parë. Megjithëse vendi është i prirur të largohet nga plagët që ende shërohen të diktaturës së fundit, përqafimi i historisë ka rezultuar i frytshëm për turizmin.

Të tjera pjesë të historisë së pasur të Shqipërisë (nën sundimin e perandorive romake dhe osmane) janë gjithashtu atraksionet kryesore, së bashku me fshatrat idilike të vendit. Për shembull, qyteti i Beratit është i njohur për shtëpitë e tij të stilit osman dhe kishat bizantine ndërsa fshati i Thethit tërheq adhuruesit e natyrës falë pyjeve e Alpeve Shqiptare.

Historia, kultura, natyra dhe ushqimi i Shqipërisë nuk janë atraksionet e vetme turistike të Shqipërisë. Edhe turizmi mjekësor ka dëshmuar të jetë ndihmë për një vend të vogël. Shqipëria po mirëpret vizitorë që kërkojnë operacione estetike cilësore, më lirë se në vendet e tyre.