Seriali i Apple TV+, nuk është një show i tmerrshëm. Ka për protagonistë një ansambël fantastik televiziv, por jo rrallë herë duket sikur po shpërdoron aftësitë e tij. Një show për gjërat që ndodhin në media në kohët që jetojmë i paaftë për t’u fokusuar në një temë apo ide specifike. Njëkohësisht seriali nuk bëhet kurrë i mërzitshëm, është a-ok, por po aq me një mundësi të humbur për të shfrytëzuar në maksimum potencialin që ka, shpesh duke valorizuar personazhet e gabuara, duke kaluar tangent cfarë vlen apo duke ju qasur historive nga këndet më të rënda.
Nuk është një show i tmerrshëm, por bën gjëra të tmerrshme. Njësoj si sezoni i parë edhe i dyti ka të njëjtin problem, shumë shpejt fillon të humbasësh vëmendjen dhe interesin.
Mënyra më e mirë për t’ju treguar zgjedhjet e çuditshme të rrëfimit të historisë është t’ja nisim nga e para. (diçka që sezoni i dytë nuk di ta bëje, mesa duket). Sezoni i dytë nis menjëherë pas transmetimit ku Alex (Jennifer Aniston) dhe Bradley (Reese Witherspoon) ekspozojnë mbulimin që rrjeti ku ato punojnë UBA, i ka bërë abuzimeve seksuale dhe abuzimeve të pushtetit, menjëherë pas vetvrasjes tragjike të Hanna-s (Gugu Mbatha-Raw). Pak çaste më vonë një plan droni tregon New York-un e evakuuar të pranverës 2020, dhe zhvendoset sërish në festimet e vitit të ri në NY, tetë muaj mbas skenës së parë.
Shumë gjëra kanë ndodhur mes skenës së parë dhe të dytës, gjëra të cilat mund vetëm ti supozojmë përmes disa të dhënave jo-frymëzuese. Për t’i rënë shkurt – mos lexoni më nëse doni ta zbuloni vetë – Cory (Billy Crudup) është pushuar nga puna fillimisht dhe pastaj ngritur në detyrë. Alex është tërhequr në rezidencën e saj për të shkruar një libër kujtimesh si ikonë feministe që është tashmë – ndërsa programi i mëngjesit prezantohet nga Bradley dhe Eric (Hasan Minhaj) i cili në vetëm 8 muaj, ka punuar aq bindshëm sa UBA po mendon ti japë një orar Prime Time (orar darke shumë i lakmuar për kë punon në televizion). Kjo është arsyeja pse Cory kërkon rikthimin e Alex, kjo dhe besimi se me kthimin e saj audienca e e show-ut do të rikthehet në nivelet e dikurshme (show-ut të UBA jo Apple TV+), gafa e parë por jo e fundit të skenaristit(ëve) të këtij seriali. Pra po i japim prime-time-in një gazetari që nuk e sheh njeri në mëngjes. S’ka pikë kuptimi, sidoqoftë, mos e vrisni mendjen shumë…
Alex nuk e mendon rikthimin. Sepse veç Cory-t, thuajse askush nuk e do kthimin e saj. E kuptueshme kur kujton se çfarë bëri sezonin e kaluar i nguli thikën mbas shpine shumë kolegëve e miqve për të marrë e vetme kreditet e një kryqëzate feministe karshi një televizioni, kulturën toksike të së cilit, e kishte injoruar deri tani. E kështu, kështu, si përfundim kthehet. Me kthimin e saj kthehet edhe fuqia shteruese e margjinalizimit të zërave të personazheve të Apple TV+ jo UBA. “The Morning Show” dëshiron të dëgjohen ata që në realitetin që jetojmë nuk dëgjohen – gratë, afro-amerikanët, të abuzuarit – një dëshirë aq e madhe se harron të përqëndrohet tek personazhet që do t’i jepnin zë këtyre çështjeve.
Seriali i Apple Tv + harron Hannah-n, harron Daniel-in (Desean Terry), i cili akuzon producentët e UBA se e anashkalojnë për shkak të ngjyrës së lëkurës. Seriali gjithashtu pati interes zero për ta kthyer Yanko-n (Nestor Carbonell) në një frymor me një histori nga pas, këtë sezon edhe më keq, duke i hequr fare nga seriali spirancën e tij, Claire (Bel Powley). Po ashtu, Mia (Karen Pittman) është thjesht një inatçore e cila ankohet për mungesën e respektit të merituar(duke insinuuar çështjet rracore), por kaq, nuk do dimë asnjëherë më shumë se kaq. Ajo nuk do jetë kurrë një personazh 360*. Kemi edhe disa skena të Alison (Janina Gavankar), e cila shfaqet sa për ndonjë fjali sarkastike, edhe ajo një çerek, gjytrym personazh.
Fokusi në sezonin e dytë, është Cory. Kjo është një zgjedhje e mirë sepse interpretimi i çuditshëm i Billy Crudup është njëkohësisht komik dhe dramatik me po të njëjtat njësi. Ama sidoqoftë kjo nuk është historia e tij, dhe historia mund të bëjë edhe pa të.
Nuk mund të bëjë ky sezon pa Mitch, personazhin e Steve Carrell (një lloj Matt Laueri-i), i cili edhe pse do duhet të kishte mbyllur llogaritë me “The Morning Show” nga seria e parë, vazhdon të marrë hapësira të narrativës në mënyra qesharake. Nuk e dimë kujt ekzaktësisht i shkoi në mendje të vendoste Mitch-in e vuajtur prej humbjes së dinjitetit, duke jetuar në agoni në një super vilë në Liqenin e Como-s, alla edhe pse mund të kesh çdo gjë, nuk ke asgjë kur nuk ke veten, por dimë që me siguri ai njeri e ka shumë të dashur Mitch-in dhe identifikohet me të. Ajo që ndodh me personazhin në fakt është ajo që e kemi diskutuar shpesh në rrethet tona. Kur një njeriu publik humbet dinjitetin e tij/saj, çfarë ndodh me të. A fshihet çdo gjë tjetër e mirë e tij?
Të rinjtë e sezonit janë Holland Taylor dhe Julianna Margulies, me role të forta dhe të mirë-bëra. Kjo na sjell në mendje se mbase ky është problemi i “The Morning Show”; ka shumë personazhe. E janë të gjithë të (pa)rëndësishëm, duke e bërë këtë njëkohësisht pikën e tij të fortë e të dobët.
Si një makinë me një motorr të fuqishëm, por një shasi që nuk e përballon dot, duke e lënë sezonin e dytë njësoj si të parin, pak a shumë në tako.