Film & Tv

“The Mauritanian”, një film i lënë përgjysmë!

Mohamedou Ould Salahi qëndroi 14 vite në burgun famëkeq të Guantanamo Bay-t, edhe pse nuk u provua kurrë krimi “që kish bërë”. I arrestuar pak kohë mbas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, mbi të rëndonte akuza e rekrutimit të atyre që sulmuan Kullat Binjake në New York. Arsyeja, njëri prej atyre që rrëmbyen avionin kishte kaluar një natë në shtëpinë e Salahit në Gjermani ku ky studionte duke e bërë edhe atë të dyshuar kryesor.

Detajet e vuajtjeve të tij në Guantanamo janë përshkruar nga ai vetë në librin Best Seller – Guantanamo Diary botuar në 2015.

Filmi ishte i ‘pashmangshëm’ ndaj Kevin Macdonald sjell këtë vit një prej pretendentëve për Oscar – The Mauritanian, një dramë – me një stil të vjetëruar, por me nivele të larta aktrimi të Tahar Rahim (Salahi) Jodie Foster dhe Benedict Cumberbatch. Por njerëzorja në këtë film mungon, duke mos u bërë më tepër se një film manipulues i ngjarjeve të vërteta – edhe pse fillon me titrat – This is a True Story / Kjo është një histori e vërtetë.

Skenari i M.B. Traven, Rory Haines dhe Sohrab Noshirvani përpiqet përmes strukturës ta bëjë filmin më tërheqës duke kaluar mes ngjarjeve të 2005 dhe 2002, kur Salahi u torturua mizorisht. Macdonald e amplifikon këtë duke i xhiruar skenat e torturave në 4:3, por përfshirja e tij drejtuese ne vend që ta bëje filmin të besueshëm dhe skenat e dhunës më shokuese ngjajnë sikur duan të thonë ‘shif më ça i kan bo’.

Sigurisht që kjo është një prej historive shokuese të mbi 700 të burgosurve të cilët në më të shumtën e rasteve u mbajtën aty pa gjyq nën tortura për vite me rradhë, nga një qeveri që NUK KËRKOI KURRË FALJE PËR KËTË (Guantanamo u krijua nën administratën Bush, por Obama vazhdoi ta mbante aktiv deri afër fundit të mandatit të tij të dytë). Problemi është që personazhi humbet nën tregimin e historisë – ti lidhesh shumë pak me Salahin dhe akoma më pak me dy personazhet e tjerë të Foster dhe Cumberbatch të cilët të rrëmbejnë me personzhet e tyre por që të lënë më boshllëqe të thella mbas fundit të filmit.

Kritika ka qënë jo shumë bujare me filmin duke i dhënë kryesisht 2 ose 3 nga 5 yje. Rotten Tomatoes ka një vlerësim 73%, IMBD 7.4/10, Metacritic akoma më gropë 54%. Filmi është aktualisht në VOD – dhe më shumë se çdo gjë do t’ju bëjë të rrëmoni rrjetin për Salahin, Marutianezin i cili në vetvete të mbush me shpresë.

Mohamedou Ould Salahi