“Shqipëria është një nga sekretet e ruajtura më mirë të Evropës”, shkruan Lucie Grace për britaniken dhe “The Independent”. Turistëve që dëshirojnë një cep të Europës me plazhe të pazbuluara, u sugjeron të zgjedhin Shqipërinë, “që me gjiret e bukuritë natyrore, rivalizon fqinjët”.
Me një peizazh malor, me pamje nga ujërat e kristaltë dhe plazhet me guralecë relativisht “të përgjumur”, Riviera Shqiptare është një nga vendet më të pazbuluara të Evropës. Përjetimi i një jave duke lëvizur mes limaneve e qosheve të Rivierës, emri i mrekullueshëm për zonën më jugore të bregdetit të Shqipërisë, ishte një kënaqësi e papritur. I ndarë nga pjesa tjetër e vendit nga Malet e Ceraunit, rajoni shtrihet 120 kilometra nga Vlora në Sarandë, duke përfshirë plazhe, kanione, kështjella e qytete të vogla karakteristike bregdetare. Rindërtimi i rrugës bregdetare në vitin 2009 e bëri më të lehtë eksplorimin, qoftë me biçikletë, makinë apo autobus, ose në rastin tim, një kombinim i të trejave.
Nëse do të përshkruaja bukurinë e këtyre plazheve: janë paqësorë, me ujëra të kthjellët e vezullues. Ato janë shumë më pak të frekuentuar nga turistët se në Greqinë fqinje e që do të thotë se mund të akomodohesh me çmime shumë më të përballueshme. Ndryshe nga hotelet e rezervuara të Evropës, mikpritësit janë vërtet të kënaqur që ju do të qëndroni aty.
Me në krye diktatorin komunist Enver Hoxha, i cili prishi lidhjet me Rusinë pasi besonte se Bashkimi Sovjetik ishte shumë i butë, Shqipëria ka qenë e shkëputur nga bota për mbi 40 vjet. Njerëzit përjetuan nivele të izolimit të Koresë së Veriut përgjatë shekullit të 20-të dhe vetëm vendasit e dinin sa mahnitës ishte peizazhi i tyre.
Duke supozuar se po fluturoni për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, gjatë çdo udhëtimi, qoftë në Alpet Shqiptare në veri, qytetet e epokës osmane në lindje apo plazhet e klasit botëror në jug, nevojitet ose një makinë me qira ose një autobus lokal. Duke mos qenë shofere, të merresha me autobusët ishte detyra ime e parë.
Në hotelin ku qëndrova në Tiranë, stafi më informoi rreth orarit të autobusëve lokalë ku mësova se të gjitha udhëtimet paguheshin në bord, ndaj nuk mund të bëja një rezervim paraprak. Nëse doni të zbrisni në një fshat të caktuar përgjatë rrugës me autobus, mund ta njoftoni shoferin përpara se të niseni dhe ai do të ndalojë, edhe nëse nuk është një ndalesë zyrtare. Pasi kuptova rregullat e mirësjelljes, hipa në një autobus në terminalin e autobusëve veri-jug të Tiranës dhe u nisa për në qytetin bregdetar të Vlorës. Kjo ishte porta e Rivierës, në të cilën do të ndaloja përpara se të nisesha drejt rrugës bregdetare e skajit tjetër të saj, Sarandës.
Duke përdorur hartën, autorja e reportazhit u ndal në Vuno, të cilin e përshkruan si “fshat të bukur me kalldrëm” e ku cilësia e ushqimit ishte surprizë.
Restoranti shërbente sallata të bollshme e shumë peshk, së bashku me byrek me djath (pjata ime e preferuar ballkanike). Vitin e kaluar, ndërsa shumica e vendeve evropiane ishin të vështira për t’u aksesuar, Shqipëria ishte plotësisht e hapur për të gjithë. Shqipëria u vizitua nga turistë nga e gjithë bota, si dhe nga vendet e Ballkanit.
Së bashku me motoçikletën time “Viaggio”, u nisa për të vizituar plazhet dhe qytetet e Rivierës, duke eksploruar rrugët dredha-dredha malore që ofronin një pamje madhështore në çdo hap. Plazhet e gjata e familjare të Borshit dhe Qeparos ndaheshin nga fshatrat e tjera nga pemët aromatike me ullinj e selvi. Zbulova se Himara, qyteti më i afërt në jug të Vunoit, ishte i popullarizuar nga një turmë e re turistësh, që shëtisnin në bulevardin pranë detit me një sërë baresh, restorantesh dhe operatorësh të mëdhenj të udhëtimeve me varkë.
Unë mora me qira një varkë të vogël për të vizituar fqinjin e fshehur të Himarës, Plazhin e Filikurit, një zonë e izoluar me guralecë, me ujërat më të bukur të kaltër përgjatë Rivierës. Pas një udhëtimi të shkurtër përtej Himarës arrita në Porto Palermo. Zona është një thesar i limaneve të vegjël ku mund të çlodheni, të gjithë gjysmë të dukshëm nga rruga.
Por, pjesët e mia të preferuara të bregdetit ishin gjiret e paprekur, në skajin verior të plazhit të Dhërmiut. Valët mahnitëse të kaltra të detit ushqeheshin nga një burim i ujit të ftohtë, që rridhte nga malet poshtë shtratit të detit dhe e bënte ujin jashtëzakonisht të ftohtë.
Duke biseduar me vendasit, mësova se skaji i kundërt i plazhit të Dhërmiut ishte i famshëm për festivalet e tij të muzikës elektronike. Dhe pavarësisht se bordi turistik shqiptar thotë se numri i vizitorëve në vitin 2022 është rritur me 45 për qind krahasuar me vitin e kaluar, unë përpiqem të gjej një plazh të mbipopulluar, edhe gjatë dy javëve të fundit të korrikut. Nëse tundoheni të ndërroni Greqinë me një udhëtim në brigjet më të zbrazëta të Shqipërisë, koha për të shkuar aty është tani.