Filmi që në ceremoninë e Oscar-ve mori 5 kandidatura, që përfshinin Filmin më të Mirë dhe Aktorin më të Mirë Protagonist – Paul Giamatti – “The Holdovers” është një histori melankolike krishlindjesh, një film modest me dhe për njerëz të zakonshëm të cilët e kanë të vështirë të shprehin ndjenjat e tyre – vuajnë në heshtje (Ç’kemi?!). Giamatti, i cili shkëlqen sa herë luan një film të [regjisorit] Alexander Payne, është në rrolin e një profesori (Paul Hunham) të ashpër të akademisë Barton në New England, një shkollë ku të pasurit çojnë djemtë para se të shkojnë në universitetet prestigjioze amerikane. Barton dhe Hunham janë e njëjta mëndësi në dukje, por rrugës kuptojmë se nuk duhet të besojmë asgjë që na thuhet, dhe vetëm gjysmat e atyre që shohim. Gjatë ditëve festive të pragut të 1970, është rradha e Hunham për të ndenjur në ambientet e shkollës e për t’u kujdesur për studentët të cilët ose janë pa familje – ose nuk merren nga familjet e tyre për të kaluar ditët e fundit të vitit. Janë këto ditë që tregojnë vulnerabilitetin që fshihet pas korracës së fortë të personazheve kryesorë të historisë.
Mbas dështimit epik me Matt Damon në 2017 tek “Downsizing” Alexander Payne (“Nebraska”, “The Descendants” – filma të kandiduar për Oscar) kthehet në një territor familjar për të. Ndërkaq Giamatti, i cili shkon sa në prodhime të sukseshme televizive “Billions” në filma artistik të vlerësuar nga publiku dhe shikuesi, është një nga aktorët më të mirë të brezit të tij – ena boshe dhe lënda që hidhet në të, njëkohësisht. Tek “The Holdovers” është një burrë i vetmuar, me [një] depresion të fshehur, i cili parapëlqen të jetojë në të shkuarën – atë para krishtit – të librave që i mëson të rinjve, histori me Romakët dhe Grekët e lashtë – duke fshehur dështimet dhe zhgënjimet e veta me një lloj arrogance të një njeriu që ka shumë më tepër se dinjitetin për të humbur nëse e verteta del në shesh.
Filmi i cili ka një shije të “Good Will Hunting” apo “Mona Lisa’s Smile” e të ngjashmëve kërkon të jetë autentik përmes lojës së Dominic Sessa (Angus Tully), një nga studentët e Paul apo Da’Vine Joy Randolph (Mary Lamb), si kuzhinieria e shkollës, të cilët pavarësisht se bëjnë një punë të shkëlqyer për t’i qëndruar në krah në mënyrë fort dinjitoze Z. Giamatti, ka një deficit pathos-i që nuk të lë të lëngosh në fund, pavarësisht ngarkesës së dramës që trajton dhe melankolisë me të cilën ndër-vepron. Sado të thella janë personazhet e filmit, dhe sado zbulojmë prej tyre me kalimin e minutave ka diçka që nuk të emocionon mjaftueshëm sa për ta dashur ta shohësh filmin sërish pas përfundimit. Kjo jo për të thënë se nuk do mund ta shijosh herën e parë që e sheh. Por janë disa filma që t’i kërkon t’u kthehesh për shkak, ngadonjëherë edhe të një skene të vetme. Me gjithë përpjekjen e regjisorit, aktorëve, drejtorit të fotografisë, montazhierit, më vjen keq ta them që ky nuk është rasti.
Publiku amerikan e deshi fort këtë film – natyrishëm, është një amerikanatë që lidhet fort me kujtesën kolektive të atij populli – ngjashëm me atë që ndodhi me ‘Barbie’-n; mirëpo është i destinuar të jetë i kufizuar në audiencë përtej kufijve të amerikës së veriut – ndryshe nga ç’ndodh me filma të ngjashëm në ngjarje, epokë dhe zhanre me prejardhje nga i njëjti vend. Emocionet e trajtuara në film janë të njohura, familjare, por nuk ka asgjë që të bën të fiksohesh – e kapa veten disa herë duke parë telefonin ndërkohë – duke kujtuar disa Tik-Tok-sa që shprehnin vlerësimin maksimal për të, e duke ‘detyruar’ veten të përqëndrohesha tek ekrani i televizorit.
Ajo që vlerësoj nga filmi është sinqeriteti i tij në çdo aspekt, diçka që në kohët që jetojmë ndodh rrallë, sepse gjithçka dhe të gjithë hiqemi si dikush apo diçka që nuk jemi. Ky është mesazhi më i madh i tij, të jetë (sh) i vërtetë pa ojna, pa xixa-buba, pa teklif.