Merr dy nga yjet e dy filmave të supersuksesshëm të vitit 2023 “Barbie” dhe “Oppenheimer“, Ryan Gosling dhe Emily Blunt, bëji bashkë në një film (që ka aksion dhe romancë) një vit më vonë që të bësh ca të holla më shumë në arkëtimet e sallave të kinemasë. Është në fakt një formulë e njohur e Hollywood-it.
Hollywood-i, i njëjti që vlerëson të gjithë ata që punojnë në industrinë filmit – pak a shumë – por që akoma nuk ka një çmim Oscar për dublantët, kaskadorët, ata që realizojnë skenat më të rrezikshme në një film aksion apo zhanre të ngjashme. Të gjithë lavdinë e marrin yjet… Kjo linjë profesionesh në kinematografi e cila është thelbësore për realizimin e filmave historikë të kinemasë nga “Ben Hur” (1959) e deri në hitet e ditëve tona, merret për e mirëqënë dhe trajtohet thuajse njësoj si linjat e tjera ‘jo-thelbësore’ të film-bërjes si shoferët apo ndihmësit (runners), etj. Ideja e David Leitch për të realizuar një film pikërisht me këtë në mendje mund të konsiderohet një gjest i pastër dashurie dhe mirënjohjeje.
Talenti komik i Gosling i cili u vulos përfundimisht vitin e kaluar tek “Barbie” përzjehet këtu me skena të komplikuara aksioni në një film i cili është argëtues fillim-fund. Ai luan Colt Steavers, një dublant i një ylli të kinemasë botërore – Tom Ryder (interpretuar nga Aaron Taylor-Jonson – “Bullet Train”). Në skenën e parë njohim edhe lidhjen e tij të veçantë me Jody Moreno (Emily Blunt), një kameramane e cila akoma nuk di të vërë pikat mi ‘i’ me Steavers. Ky i fundit mbas një duble të përsëritur përfundon në spital, i thyer i tëri. Kohë më vonë, personazhin e gjejmë të punojë në një parking, i ka humbur të gjitha, dashurinë e tij platonike, punën, të ardhmen? Kjo mund të ishte hera e fundit që ai do të ishte në një shesh xhirimi (mbas humbjes së punës për shkak të aksidentit) sikur të mos ishte për një mik-producent që i kërkon me vendosmëri të vijë në Sidnei, Australi duke e joshur me informacionin se do të punontë në filmin e parë të Judy-t si regjisore. Kjo në padijeni të saj, e cila, siç do të shihni, vazhdon të jetë e hatërmbetur për mënyrën se si Colt u soll mbas aksidentit – duke mos e takuar apo mos përgjigjur në telefon. Historia e tyre e ripajtimit do të gërshetohet me një komplot të Ryder dhe producentes së tij nëpër të cilën Colt Steavers do të përjetojë dublat më të vështira të karrierës së tij – edhe pse këto ndodhnin në jetën reale, dhe rreziku ishte i pashmangshëm.
Regjisori David Leitch, skenaristi britanik Drew Pearce dhe koordinatori i dublantëve Chris O’Hara kanë bërë një punë të shkëlqyer për të zbërthyer skemën e hollywood-it duke i nxjerrë kaskadorët si vazhdim të aktorëve (të famshëm) që i ndihmojnë për të plotësuar personazhin e tyre. Një plotësim i nevojshëm, i pashmangshëm. Shoqëruar nga një kolonë zanore fantastike – si hiti i Phil Collin’s “Take A Look At Now (Against All Odds) – ky film duket shpesh si një musical, sepse koreografimi i aksionit është po aq fluid sa një koreografi kërcimi. Leitch, dikur një dublant për vete (i aktorëve të njohur si Matt Damon dhe Brad Pitt) – di si të përdorë lëvizjet e duhura në skena të përsosura aksioni të cilat të shijojnë njësoj si në ekranin e madh të kinemase ashtu edhe në ato më të vegjël.
Kimia mes Blunt dhe Gosling është gjithashtu surprizuese – një mangetizëm i hatashëm që u përket njerzve që janë shumë të pashëm por njëkohësisht shumë të përulur dhe të thjeshtë. Në një film aksion përgjithësisht flitet pak, por ky nuk është rasti. Skenat masive të aksionit janë të plotësuara pa droje nga skena të gjata romantike dhe kamera lexon portretet dhe ndjesitë po aq mirë sa skenat e mëdha e të vështira të aksionit me helikopterë dhe makina që shpërthejnë.
“The Fall Guy” është një film serioz që nuk e merr veten shumë seriozisht dhe tregon Hollywood-in siç është [deri diku të paktën]. Aksioma fituese e historisë së yjeve të kinemasë, ata që adhurojmë – të cilët në të njëjtin film bien në dashuri ndërkohë që po i plas bomba në dorë – literalisht.