Në një nga filmat më të përfolur të sezonit pre Oscar 2023, Steven Spielberg tregon veten [e tij] dhe nxjerr mësimet e para në rrugën e gjatë dhe të mundimshme drejt njohjes. Mësimet i nxjerr Sammy Fabelman (Gabriel LaBelle), personazhi që vesh këpucët e një prej mogulëve të kinemasë moderne. Mësime për veten, sekretet, gënjeshtrat, vdekjen, artin, anti-semitizmin, eksitimin dhe natyrshëm për dashurinë e tij më të madhe në jetë: film-bërjen. Pas një eksperience shënjuese me prindërit në sallën e kinemasë Sammy nis të xhirojë filma në shtëpinë e tij duke e patur kameran si kanalizator të ndjesive të tij më të fshehta. Duke bërë këtë ai kupton edhe atë që kinemaja mund të bëjë për shikuesin e saj; ajo mund të ngrejë peshë, të bëjë të reflektojë osë të dërrmojë shpirtin e atij që e sheh… Më shumë se çdo gjë, kinemaja mund të na tregojë të vërtetën, ose ta groposë këtë të fundit përgjithmonë.
“Ti arrin të shohësh brendinë time” – i thotë e ëma Mitzi (Michelle Williams) në një nga skenat më domethënëse të filmit.
‘E vërteta’ është kryefjala tek “The Fablemans”, film në të cilin për herë të parë – Spielberg tregon diçka nga bota e tij e brendshme, që nga fëmijëria. Përgjatë gjithë filmit, edhe pse i zbukuruar aty këtu, vërtetësia në historinë që Spielberg e ka bashkë-shkruar me Tony Kushner është e qëndrueshme, kjo edhe falë performancës së LaBelle.
Fallco, komplet fallco
thotë ai në një moment për një film të tijin… [ama] nuk ka asgjë fallco në këtë film, çdo gjë është e vërtetë, e besueshme. Mesa duket me moshën Spielberg (76 veç), më në fund, ndihet gati për të treguar të vërtetat, jetën, me të mirat dhe të keqijat e saj. Si në çdo film të regjisorit, ndjenja e empatisë prevalon. Një tribut për prindërit dhe sfidat e tyre për të rritur atë dhe motrat e tij, si edhe një tribut për fëmijërinë e tij. Në shumë skena shikojmë se si i vogli Steven dhe i rritur Steven gjejnë katarsisin, të [dy] vendosur për të mbrojtur të ëmën dhe të atin, dy individë me endrra dhe dëshira që përputheshin pak, por me një ndjeshmëri që i bashkonte në një dashuri të fortë edhe pse jo me fund të lumtur.
Babai i Sammy-t në film, Burt (Paul Dano) ka buzëqeshjen më të trishtë që më kanë zënë sytë ndonjëherë, ndërsa miku i tij më i afërt, Bennie (një Seth Rogen i shkëlqyer) rrezaton ngrohtësi. Xhaxha Boris-i (Judd Hirsch), një punonjës në një cirk në të shkuarën, i vemti familjar i lidhur me kinemanë në një kuptim, i cili në mësymjen e tij të vrullshme por të shkurtër mjafton për ta vendosur protagonistin në një gjëndje të re dhe luftarake në një moment dorëzimi emocional. Kjo na bën të reflektojmë për personazhin episodik që mësyi jetët tona për të na ndryshuar përgjithmonë rrjedhët e tyre. Kapakun këtij ansambli aktorësh fantastik, secili syresh i vendosur në vendin e duhur ja vë Michelle Williams e cila brenda pak skenash tregon një larmi emocionesh, që e vendos atë në kalibrin e [shumë] pak aktoreve të kohëve që po jetojmë; Mitzi – në ndjekje të një tornadoje, kur ble një majmun si kafshë shtëpiake, kur nis të kërcejë palidhje në mes të natës – shfaq aq shumë brendi emocionale në sytë e saj, rrezaton njëkohësisht sharmin e Hollywood-it të vjetër dhe natyralitetin mbresëlënës.
Për ta sqaruar, ky nuk është një dokumentar për jetën e Steven Spielberg. Shumë prej episodeve të trishtë kanë trajta dramaticiteti artistik që e largojnë filmin nga dokumentimi i saktë i episodeve jetësore të protagonistit. Ka një balancë të hollë mes asaj që është e vërtetë dhe zbukurimit të kësaj të vërtete. Por kjo vetëm sa i ka shtuar më shumë jetë jetës.
Regjisori i “Close Encounters” dhe “E.T’ në 50 vitet e tij të karrierës ka pasur disa kulminacione dhe njëri syresh është patjetër ky film. “The Fablemans” i ka të gjithë elementët e filmave të Steven, por me një përbërës më tepër, të vërtetat e tij të brendshme, të cilat ushqejnë shpirtin e dashamirësve të Spielberg po kaq sa dashamirësit, ose duhet të them dashnorët e kinemasë.