Policia bën me dije se është ndaluar E.G, 51-vjeçe, banuese në Elbasan, pasi ishte shpallur në kërkim si pjesë e operacionit të koduar “Teza”, që u zhvillua rreth një javë më parë. Arrestimi i saj u bë në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën Kufitare të Kontrollit në Rinas.
51-vjeçarja, pedagoge në Universitetin e Elbasanit, ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se bashkë me disa kolegë mori para për të kaluar në provime një studente.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ndaluan me iniciativë shtetasen E.G, 51 vjeçe, banuese në Elbasan, e cila ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Teza”, i zhvilluar një javë më parë. Kjo shtetase u kap në hyrje të RSh-së, në PKK Rinas.
Më 1 nëntor, policia dhe Prokuroria e Elbasanit zbarkuan në Fakultetin e Shkencave të Edukimit dhe 6 pedagogët e arrestuar u pezulluan edhe nga detyra. Pas një hetimi disamujor, organi i akuzës zbuloi se vendosin nota kaluese kundrejt ryshfetit. Nën hetim për korrupsion janë Ornela Bilali, Zyhra Gripshi, Adrian Shëngjergji, Beatriçe Gani, Edlira Gugu, Florinda Tarusha e Monika Hodaj. Në burg u la sekseri Gazmend Hodaj.
Prokuroria konfirmoi se në materialet e sekuestruara gjeti prova të mjaftueshme si para, fletë provimi apo biseda telefonike. Mësohet edhe se pedagogëve iu sekuestruan telefonat. Dyshohet se kanë shfrytëzuar postin për të ndikuar si te pranimet e reja, ashtu edhe te nota kaluese e studentëve të Mësuesisë. Lidhja mes pedagogëve dhe studentëve kryhej nga shtetasi Gazmend Hodaj, në rolin e sekserit.
Nga studentët, përfitonin shuma parash që varionin nga 150 deri në 500 euro. Hetimet filluan gjatë sezonit të vjeshtës, pasi studentët kanë denoncuar marrjen e ryshfetit përkundër notës kaluese. Pedagogët nën hetim për korrupsion pasiv u pezulluan nga detyra.