Health & Beauty Lifestyle Vitality Vibes | News

“Tetori nuk mjafton”/ Oltiana Petri dhe Donjeta Zeqa i japin zë ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit!

Vitality Vibes është një emision që ka për qëllim informacionin mjekësor për dëgjuesit në lidhje me simptomat e para të disa sëmundjeve dhe kurimin e tyre. Mënyra e rrëfimit të pacientëve sesi nisin simptomat e para në formën e rrëfimeve, vizitat tek mjeku, rrëfimet e mjekëve për dyshimet e tyre në lidhje me diagnozën e saktë, vendosja e saktë e diagnozës dhe fillimi i kurimit. Bashkëpunim me mjekë të njohur dhe personazhe të njohur të cilët kanë pasur eksperienca sëmundjesh. Ky emision ka si synim informimin e publikut mbi të rejat në fushën e mjekësisë, kërkimet, teknologjitë e reja dhe gjithçka tjetër.

Të ftuara në episodin e sotëm me Ilvi Begollin kanë qenë Oltiana Petri dhe Donjeta Zeqa nga Europa Donna Albania për të folur rreth kancerit të gjirit pikërisht në këtë muaj rozë siç është muaji tetor. Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, emë pas, në të gjithë trupin.

Europa Donna Albania është një organizatë e shoqërisë civile, e pavarur, jofitimprurëse për luftën kundër kancerit të gjirit. Për të folur më shumë rreth shoqatës, Donjeta shtoi:

Unë nuk jam themeluese. Themeluese e shoqatës është zyshë Diana Myrto, të cilën e përshëndesim. Shpresojmë të jetë duke na dëgjuar. Unë drejtoj këtë organizatë që nga viti 2016 dhe jo pa arsye. Unë kam raste familjare. Në fakt mund të jem në rastet më të rralla, jo vetëm në Shqipëri, por edhe ndoshta në botë, sepse kam 11 raste. 10 nga këto me kancer gjiri dhe rishtazi edhe një lloj tjetër kanceri. Mami im është përballur dy herë me kancerin e gjirit. Pak muaj ka që ka mbyllur trajtimet. Kështu që të them të drejtën pavarsisht rasteve familjare është mami ajo që më ka shtyrë t’i futem kësaj kauze dhe më duket sikur është njëlloj thirrjeje, një lloj misioni për mua. Që në fillim jam takuar me doktoreshë Oltën. Europa Donna Albania është anëtare e koalicionit ndërkombëtar të gjirit që është Europa Donna në tërësi dhe 47 shtete europiane janë anëtare të këtij koalicioni. Qëllimi i organizatës është advokimi dhe lobimi për një shëndet më të mirë, përqasje në trajtime dhe çdo gjë çfarë një pacient ndërkombëtar meriton dhe ashtu duam që edhe pacienti shqiptar t’i ketë të gjitha këto.

Është bërë traditë tashmë që çdo muaj Tetor i kushtohet kësaj kauze, por e pyetur nga Ilvi nëse kjo organizatë punon gjatë gjithë vitit, doktoreshë Oltiana u përgjigj:

Puna jonë është gjatë gjithë vitit. Prezantohemi gjatë gjithë vitit me shumë aktivitete, të cilat janë edhe në mediat sociale, por puna jonë çdo ditë të vitit është me pacientët, duke i dhënë atyre ndihmë, mbështetje për çdo informacion të rëndësishëm dhe jo vetëm. Nuk ndihemi mirë që fokusi të jetë vetëm në tetor. Puna nuk duhet të ndalë gjatë gjithë vitit dhe është një nga këshillat tona.

Donjeta shtoi:

Ne kemi një slogan që themi që Tetori nuk mjafton dhe që kanceri i gjirit nuk prek vetëm në Tetor.