Aktualitet Bota

Tetë emigrantë humbin jetën gjatë kalimit të La Manshit!

Tetë emigrantë humbën jetën teksa përpiqeshin të kalonin La Manshin në mënyrë klandestine për në Angli nga veriu i Francës. Tragjedia vjen më pak se dy javë pas mbytjes së një anijeje, që la 12 të vdekur dhe në kalime të tilla, numrin e fataliteteve e çoi në të paktën 37, që nga fillimi i vitit.

Nga janari 2024, mbi 22 mijë emigrantë kanë mbërritur në Angli, pasi me gomone, kaluan La Manshin. Shifra jepet nga autoritetet britanike. E zgjedhur korrikun e kaluar, qeveria laburiste e kryeministrit Keir Starmer premtoi të trajtojë emigracionin e paligjshëm duke rritur numrin e dëbimeve të emigrantëve dhe goditur trafikantët.

Mbërritja e shqiptarëve me gomone gjatë 2022-shit u kthye në shqetësim për Londrën dhe u përdor nga sekretarja e Punëve të Brendshme e asaj kohe, Suella Braverman, për retorikë politike në parlament, me doza të forta antishqiptare. Dy vite më pas, panorama e shqiptarëve  të mbërritur me gomone sipas shifrave të Home Office-it është e papërfillshme krahasuar me kombësitë e tjera.

Nëse më 2022-shin, me gomone shkuan 13,700 shqiptarë, një vit më pas, numri shkoi në 900. Top Channel ka munduar të sigurojë të dhënat e atyre që udhëtuan me gomone në muajt janar-prill 2024. Nga 8.000 persona që kaluan La Manshin me gomone, vetëm 20 ishin shqiptarë.

Një shifër e papërfillshme për autoritet britanike duke e kthyer Shqipërinë në një rast suksesi se si parandalohet emigracioni ilegal.  Tre janë faktorët me ndikim:

Së pari, marrëveshja mes dy qeverive në Londër e që mori bekimin e Rishi Sunak-ut dhe Edi Ramës në mars 2023.

Së dyti, ndryshimi ligjit të Emigracionit e ku Shqipëria u vendos si vend i sigurt, pa të drejtë azil-kërkimi.

Së treti, numri në rritje nga viti në vit i shqiptarëve të dëbuar me fluturime charter të përjavshme Angli-Shqipëri.

Shifrat tregojnë se për periudhën mars 2023-mars 2024, nga Anglia janë dëbuar 5,976 shqiptarë pa leje qëndrimi, përfshirë ata që përfunduan dënimet në burgjet angleze. Shifrat e Home Office-it tregojnë se gjatë 2023-shit u dëbuan 2,419 ndërsa më 2022-shin, numri ishte 1,940.