Tesla ka regjistruar rënie tremujore të dërgesave për herë të parë në thuajse katër vjet. Aksionet e Tesla ranë me 5.7% në fillim të tregtimit, duke iu shtuar humbjes së vlerës prej thuajse 30% të regjistruar këtë vit. Tesla dërgoi rreth 386.810 makina në tre muaj deri më 31 mars, në rënie prej 20.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në periudhën e analizuar, Tesla prodhoi 433.371 makina. Sipas 18 analistëve të anketuar nga Visible Alpha, Wall Street priste që Tesla të dërgonte mesatarisht 454.200 automjete.
Dërgesat u tkurrën me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Hera e fundit që Tesla pati regjistruar rënie të shitjeve ishte në tremujorin e dytë 2020, kur pandemia Covid-19 detyroi shtëpinë automobilistike të ndalte prodhimin. Ndërkaq, Tesla po kërkon sërish t’i japë shefit Elon Musk marrëveshjen më të madhe të pagave në historinë e korporatave amerikane, me vlerë 56 miliardë dollarë.
Kompania e automjeteve elektrike (EV) po u kërkon aksionarëve të votojnë për pagën rekorde të CEO-t të saj, të vendosur për vitin 2018. Megjithatë, marrëveshja u refuzua në janar nga një gjykatës amerikan i cili e përshkroi atë si “një shumë të pamatur”. Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Musk njoftoi planet për të shkurtuar më shumë se 10% të fuqisë së tij punëtore globale.
Tashmë dëmshpërblimi i tij është në qendër të vëmendjes, ndonëse kompensimi i propozuar nuk përfshin as pagë, as bonus. Në vend të kësaj, marrëveshja e vitit 2018 paraqiste shpërblime të bazuara në rritjen e vlerës së tregut të Teslës në 650 miliardë dollarë gjatë 10 viteve. Sipas të dhënave, aksionet e kompanisë së automjeteve elektrike tani vlerësohen në 500,36 miliardë dollarë. Në kohën e vendimit të saj, gjyqtarja me bazë në Delaware, Kathaleen McCormick tha se marrëveshja e pagave ishte e padrejtë për aksionerët.