Prodhuesi i automjeteve elektrike Tesla ka njoftuar pushimin nga puna të rreth 600 punonjësve të tjerë në objektet e tij të prodhimit dhe zyrat inxhinierike në shtetin amerikan të Kalifornisë. CNBC raporton se Tesla po lufton me dobësimin e kërkesës për automjete elektrike dhe rritjen e konkurrencës, kjo është arsyeja pse kompania do të fillojë të shkurtojë numrin e vendeve të punës, me shumë gjasa në janar.
Vala e fundit e pushimeve nga puna në kompaninë amerikane në qytetet kaliforniane të Fremont dhe Palo Alto do të eliminojë pozicionet nga më të ulëtat në më të lartat. CEO Elon Musk u tha punonjësve në prill se prodhuesi i automjeteve elektrike do të shkurtonte më shumë se 10% të vendeve të punës në mbarë botën. Kompania më parë njoftoi më shumë se 6,300 shkurtime të vendeve të punës në të gjithë Kaliforninë, në Buffalo, Nju Jork dhe në Austin, Teksas.
Tesla ka ulur çmimet e tre prej pesë modeleve të saj në SHBA, e më pas vazhdoi me uljen e çmimeve në mbarë globin, duke përfshirë edhe Kinën dhe Gjermaninë. Ky hap nga kompania vjen pasi ajo po përballet me rënie të shitjeve dhe ndodhet në luftë të intensifikuar me shitjen e automjeteve elektrike. Bëhet e ditur se kompania e Elon Musk ka ulur çmimet e Modeleve Y, X dhe S.
Tashmë Modeli Y në SHBA kushton 42,990 dollarë, Modeli S 72,990 dollarë dhe Modeli X 77,990 dollarë. Gjithashtu, Tesla ka ulur edhe çmimin e softuerit “Full Self-Driving” nga 12 mijë në 8 mijë dollarë. Ndërkohë, në Gjermani çmimi i Modelit 3 është ulur në 40 mijë euro nga 42 mijë sa ka qenë. Ulje çmimesh ka pasur edhe në vende tjera evropiane, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.