Prodhuesi amerikan i automjeteve Tesla ka lënë jashtë objektivin e saj për ofrimin e 20 milionë automjeteve në vit deri në vitin 2030. Siç raportohet, kjo është një tjetër shenjë se kompania po largohet nga makinat elektrike dhe fokusin ka filluar ta zhvendosë te robotaksi. CEO i Teslas, Elon Musk, ka thënë në vitin 2020 se Tesla aspironte të shiste nga 20 milionë automjete deri në fund të dekadës, dy herë më shumë se ato të shitura nga Toyota, prodhuesi më i madh i automjeteve në botë.
Megjithatë duket se kompania ka ndryshuar sjellje kohët e fundit, duke hequr dorë nga planet për të prodhuar model krejtësisht të ri që pritej të kushtonte 25,000 dollarë. Musk deklaroi në prill se Tesla planifikon të lançojë modele të reja, duke përfshirë makina të përballueshme, deri në fund të këtij viti, por kompania tha se planifikon të përdorë linjat aktuale të produkteve për automjete të reja të përballueshme në vend të objekteve të reja, duke bërë një ndryshim strategjik që do të rezultonte në reduktime më të vogla të kostos sesa pritej dhe rritje modeste të vëllimit.
Aksionet e Teslas kanë rënë 3.5% të enjten, duke rënë rreth 30% këtë vit. Shoqata e Prodhuesve Evropianë të Automobilave (ACEA) njoftoi se vetëm 13,951 automjete elektrike (EV) të kompanisë amerikane Tesla janë regjistruar në Bashkimin Evropian në prill, 2.3% më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Shitjet e makinave Tesla në Evropë në prill janë më të ulëtat në 15 muajt e fundit, duke treguar një fillim të dobët të tremujorit të dytë të 2024. Regjistrimet e automjeteve Tesla në Mbretërinë e Bashkuar ranë me 25% nga viti në vit në prill dhe regjistrimet në katër muajt e parë të 2024 me 14% nga viti në vit. Kompania Tesla njoftoi më 24 prill se të ardhurat e saj në tremujorin e parë të 2024 ranë me 9% nga viti në vit në 21.3 miliardë dollarë.