Auto & Moto

Tesla Cybertruck, automjeti i ri elektrik në shërbim për policinë e Dubait!

Policia e Dubait ka tanimë në shërbim të saj një flotë të lakmueshme makinash. Nga Ferrari te Bugatti, duke përfshirë Lamborghini Urus Performante dhe së fundmi një Tesla Cybertruck, garazhi luksoz i kësaj force policore i ka të gjitha.


Sipas mediave të huaja, kamionçina elektrike nga Tesla, që i shërben Policisë së Dubait, përmban ngjyrat tradicionale të bardha dhe jeshile dhe shfaq logot e forcave të policisë. Modeli 100% elektrik do të përdoret nga divizioni i turizmit dhe për këtë arsye ai do të shfaqë modelin e ri në një nga vendet publike më të ngarkuara të Dubait, në Dubai Mall.

Kjo qendër tregtare është e dyta më e madhe në botë për sa i përket sipërfaqes totale. Atje vizitorët do të kenë mundësinë të shohin Cybertruck dhe të bëjnë foto me modelin e ri të Policisë së Dubait. Ndërkaq, Tesla ka ulur çmimet e tre prej pesë modeleve të saj në SHBA, e më pas vazhdoi me uljen e çmimeve në mbarë globin, duke përfshirë edhe Kinën dhe Gjermaninë.

Ky hap nga kompania vjen pasi ajo po përballet me rënie të shitjeve dhe ndodhet në luftë të intensifikuar me shitjen e automjeteve elektrike. Bëhet e ditur se kompania e Elon Musk ka ulur çmimet e Modeleve Y, X dhe S. Tashmë Modeli Y në SHBA kushton 42,990 dollarë, Modeli S 72,990 dollarë dhe Modeli X 77,990 dollarë. Gjithashtu, Tesla ka ulur edhe çmimin e softuerit “Full Self-Driving” nga 12 mijë në 8 mijë dollarë. Ndërkohë, në Gjermani çmimi i Modelit 3 është ulur në 40 mijë euro nga 42 mijë sa ka qenë. Ulje çmimesh ka pasur edhe në vende tjera evropiane, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.