Momente terrori në një nga zonat më të njohura për jetën e natës në Birmingham të Alabamas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të paktën katër persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën si rezultat i disa të shtënave masive dje në mbrëmje.
Pak pas orës 23:00 me atë lokale, disa persona hapën zjarr duke qëlluar me breshëri ndaj një grupi njerëzish në zonën Five Points South.
Informacionin e dha oficeri i policisë amerikane, Truman Fitzgerald, i cituar nga rrjeti televiziv CNN në SHBA.
Oficerët të cilët shkuan në vendngjarje, gjetën të pajetë trupat e dy burrave e të një gruaje që për fat të keq nuk iu kishin mbijetuar plagëve të shumta. Viktima e katërt ndërroi jetë pasi u dërgua në spital.
Për momentin, asnjë i dyshuar nuk është arrestuar. Që të tre viktimat u gjetën jashtë, në trotuar si dhe në rrugë.
Hetuesit po përpiqen që të përcaktojnë nëse agresorët janë afruar në këmbë apo kanë qëlluar nga një automjet në lëvizje. Disa të plagosur u shpëtuan në zonën e masakrës, siç konfirmoi zyrtari Truman Fitzgerald.
Po ashtu, raportohet se Spitali Universitar i Alabamas në Birmingham po trajton 11 persona të plagosur, disa prej të cilëve janë në gjendje kritike. Por, nuk jepet numri i saktë i tyre. Policia vë në dukje se këto të shtëna masive “kanë të bëjnë më shumë me kulturën se me krimin”, duke u ankuar për përdorimin në rritje të armëve të zjarrit për të zgjidhur konfliktet e natyrave të ndryshme. Ky shqetësim i shtohet atij të shprehur e përsëritur prej kohësh në lidhje me përdorimin masiv e pa kufizime të armëve.
Kjo është ngjarja më e fundit që i shtohet bilancit gjithnjë e më tragjik me të paktën 403 të shtëna masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që prej fillimit të këtij viti, pra janar 2024. Kjo referuar të dhënave që ka mbledhur Arkivi i Dhunës me Armë, i cili me “të shtëna masive” përcakton çdo ngjarje kriminale në të cilën të paktën katër persona janë qëlluar, por pa përfshirë këtu autorin apo autorët në rastet kur ekzekutohen nga forcat e rendit, ndonjë civil që reagon apo kur zgjedhin t’i japin fund jetës me armët e masakrave.