Aktualitet

Tërmeti me epiqendër mes Belshit e Cërrikut konsiderohet i rëndësishëm nga sizmologët!

Një tërmet me magnitudë nga 4 deri 5 Rihter goditi vendin tonë, pak pas mesnatës, me epiqendër zonën mes Cërrikut dhe Belshit në qarkun Elbasan, në thellësinë 20 km. Lëkundja u ndje thuajse në të gjithë Shqipërinë e Mesme. Kishin kaluar 27 minuta nga mesnata dhe shqiptarët ndiqnin Big Brother Vip 3 kur u regjistrua tërmeti, të cilin sizmologët e konsiderojnë “të moderuar”. Fatmirësisht nuk u raportuan dëme.

Sizmologu Edmond Dushi:

Ishte tërmet me magnitudë 4.3 i shkallës Rihter, klasifikohet te tërmetet e moderuar. Eshtë pragu që fillon të ndihet efekti sizmik. Më shumë u ndje në Lushnjë, Fier, Kavajë, Durrës e Tiranë. Tërmeti ishte relativisht i cekët dhe ka patur efektin në sipërfaqe. Zona ku ra, njihet për aktivitetin sizmik.

Sot tërmeti nuk u shoqërua nga pasgoditje, por nga sizmologët konsiderohet “i rëndësishëm” pasi lëkundjet u ndjenë gjatë e në një rreze të gjerë. Përdorimi i shumë aplikacioneve të huaja nga qytetarët, bëri që në rrjete sociale të shpërndaheshin të dhëna kontradiktore.

Sizmologët shpjegojnë se ato janë të dhëna automatike që gjenerohen nga sistemet dhe vetëm kur tërmetet janë të rëndësishme, atëherë bëhen vlerësime të detajuara për rezultate të sakta.