Bota

Tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ballë në El Salvador!

Një tërmet me magnitudë 6.1 goditi brigjet e El Salvadorit mbrëmjen e së mërkurës, me orën lokale, tha Shërbimi Gjeologjik i SHBA (USGS). Deri më tani nuk janë raportuar viktima apo dëme serioze. Tërmeti goditi në Oqeanin Paqësor, rreth 60 kilometra në jug-jugperëndim të qytetit të La Libertad, El Salvador, në një thellësi fokale prej 33.9 kilometra, sipas vlerësimit të parë të USGS.

Edhe Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) vlerësoi se tërmeti ishte me magnitudë 6.1 ballë. Gazetarët dhe dëshmitarët okularë të Reuters raportuan se tërmeti u ndje në kryeqytetin San Salvador dhe në Guatemalën fqinje. Shërbimet e urgjencës në dy vendet e Amerikës Qendrore thanë se po monitoronin situatën dhe nuk kishin marrë raporte për të lënduar apo dëme të rënda materiale për shkak të tërmetit, të paktën në këtë fazë.

Ndërkaq, në El Salvador, një shtet i vogël i Amerikës Qendrore, ku është zhvilluar një “luftë” kundër krimit të organizuar që nga pranvera e vitit 2022, mesatarisht një person po zhduket çdo ditë, njoftuan organizatat joqeveritare, duke cituar të dhëna nga prokurorët.

Të dhënat për zhdukjet e njerëzve në El Salvador janë tronditëse. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha se 366 persona janë zhdukur në 12 muaj deri më 31 maj të këtij viti. Pas një serie vrasjesh, Presidenti Bukele shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, duke vendosur ushtrinë në rrugë dhe duke kufizuar të drejtat kushtetuese. Presidenti Bukele hedh poshtë kritikat dhe mburret se El Salvador është tani vendi më i sigurt në hemisferën perëndimore.