Telashet me ish-bashkëshorten nuk kanë fund për yllin e kinemasë hollivudiane, Johnny Depp. Ai u përball sërish në gjyq me ish-partneren e tij, Amber Heard të cilën e akuzon për shpifje. Në qendër të akuzës është një shkrim për dhunën në familje që ajo publikoi në vitin 2018.
Së fundmi ish-terapistja e Johnny Depp dhe Amber Heard tha se dyshja patën “abuzime reciproke” gjatë muajve të fundit të martesës së tyre famëkeqe. Dëshmia me video nga Dr Laurel Anderson u dëgjua në ditën e tretë të gjyqit. Depp e ka paditur ish-gruan e tij për një histori që ajo shkroi në rrjetet e saj sociale në të cilën e përshkroi veten si viktimë e dhunës në familje. Por vetë aktori, nga ana tjetër, mohon çdo abuzim.
Në lidhje me këtë Heard paraqiti një kundërpadi prej 100 milionë dollarësh. Në dëshminë e regjistruar në muajin shkurt dhe e dëgjuar nga juristët të enjten, Anderson tha se e kishte takuar çiftin e famshëm për disa seanca terapie midis tetorit dhe dhjetorit në vitin 2015 ndërkohë që Heard paraqiti kërkesën për divorc në maj të 2016, pas vetëm 15 muajsh martesë.
Marrëdhënien midis Depp dhe Heard terapistja e ka cilësuar dhe e ka përshkruar si një dinamikë të paqëndrueshme dhe të dy kanë kërcënuar se do të largoheshin nga seancat mes debateve. Në seancat pa praninë e Depp, tha Anderson, Heard raportoi sulmin fizik nga duart e bashkëshortit të saj të atëhershëm. Ajo dëshmoi se në një rast Heard mbërriti në zyrën e saj me disa mavijosje të vogla në fytyrë. Anderson u shpreh se Depp shpesh ndërpritej nga Heard gjatë seancave të terapisë dhe ajo e shihte abuzimin mes tyre si reciprok.
Anderson dëshmoi për historinë familjare të dhunës në familje si nga ana e Heard, ashtu edhe nga Depp. Heard ishte dhunuar nga babai i saj, tha ajo, dhe Depp nga nëna e tij. Çështja në gjyq është për shkak të një opinioni të Heard në vitin 2018, i publikuar në Washington Post, ku e përshkruan veten si një “figurë publike që përfaqëson abuzimin në familje”.