Bota

Tentuan të kalojnë Kanalin Anglez, mbyten 4 emigrantë!

Tentuan të kalojnë Kanalin Anglez, por nuk ia dolën.  Katër emigrantë janë mbytur sot në ujërat franceze, siç njofton agjencia e lajmeve AFP. Rreth 70 njerëz u munduan të hipnin në një anije të vogël, e cila u përmbys duke tentuar të nisej nga një plazh, në orët e para të kësaj të diele, referuar raportimeve të mediave franceze.

Dhjetëra prej tyre u nxorën nga uji nga ekipet e shpëtimit në qytetin Calais, në veri të Francës. Autoritetet vendase njoftuan se katër emigrantët e mbytur ishin nga Iraku dhe Siria.

Një person tjetër u lëndua rëndë dhe u dërgua në një spital të afërt në Bolougne.

Emigrantët hasën në probleme menjëherë pasi anija u nis nga bregdeti francez në drejtim të Anglisë rreth orës 02:00 të mëngjesit sipas AFP-së. Një zëdhënës i prefekturës detare të Francës, i cituar nga kjo agjenci, deklaroi:

Pasi anija u nis nga plazhi, njerëzit ndeshën në vështirësi në ujë, për të arritur të ngjiteshin në mjetin lundrues.

Një anije patrulluese shkoi në vendin e ngjarjes dhe zbuloi trupat e pajetë. Edhe rreth 50 zjarrfikës e disa automjete të policisë shkuan në vendin e ngjarjes, po ashtu. Dhjetëra të mbijetuar u dërguan në një qendër komunitare në zonë.