Aktualitet

Tentoi të digjte prindërit në banesë, pranga 42 vjeçarit në Fier!

Në Fier, blutë vunë në pranga një person që i vuri zjarrin banesës ku jetonte me dy prindërit e moshuar dhe pasi u largua, iu mbylli dyert, që të mos të mund të dilnin dot. Për fat të mirë, ata shpëtuan pa lëndime pas ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë e të Zjarrfikëses. Zjarri u lokalizua dhe u shua.

Për ngjarjen e rëndë të ndodhur një nate më parë në lagjen “15 Tetori” të qytetit jugor, policia kapi dhe arrestoi 42 vjeçarin Altjon Sulejmani, person i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e mbetur në tentativë, “Dhuna në familje”, si dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Njoftimi zyrtar policor: 

Fier/Tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar, duke i vënë zjarrin banesës, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari. Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin dy të moshuar, është përfshirë nga flakët.

Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa, dy të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A.S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.

Po nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A.S., 42 vjeç.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.