Rajoni

Tensione me Maqedoninë e Veriut, Bullgaria tërheq ambasadorin nga Shkupi!

Bullgaria do të tërheqë ambasadorin në Shkup e do të ndërpresë të gjitha projektet e përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut. Kjo u bë e ditur nga ministri i Jashtëm bullgar, Nikolai Milkov, pas një seance në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme të Bullgarisë ku u diskutua për tensionet e fundit me Maqedoninë e Veriut, pas sulmit fizik ndaj Hristijan Pendikovit, përfaqësues i një klubi bullgar në qytetin e Ohrit.

Sulmi ndaj tij ndodhi më 19 janar, por hetimet ende nuk kanë përcaktuar nëse është sulmuar për shkak të mosmarrëveshjeve personale apo shtetësisë së tij bullgare. Për rastin po hetohen katër persona.

Të gjithë jemi të mendimit se gjërat nuk mund të vazhdojnë siç kanë qenë. Kjo që po ndodh nuk është produktive. Duhet të bëhet e qartë se gjërat kanë ndryshuar. Gjërat nuk do të vazhdojnë, ne do të shqyrtojmë më shumë komponentë dhe elemente të bashkëpunimit tonë dypalësh me shtetin fqinj.

I pyetur nëse pas këtij incidenti Sofja do t’i bllokojë bisedimet e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut, Milkov theksoi se “Bullgaria nuk do ta bëjë këtë gjë, sepse bisedimet asnjëherë nuk kanë filluar”. Si reagim për incidentin do të ndërmarrë masa të tjera, si “ndërprerjen e të gjitha projekteve të përbashkëta ndërshtetërore me Maqedoninë e Veriut”.

Po ashtu foli për festën e 4 shkurtit, ditëlindjen e Goce Dellçevit, për të cilën tha se “nëse bullgarët ndalohen në kufirin e Maqedonisë së Veriut dhe nuk lejohen të shkojnë në Shkup për të festuar këtë ditë, Bullgaria do të reagojë negativisht”.

Dellçev njihet si personalitet nga viti 1900, ndërsa identitetin e tij e pretendojnë si Sofja, ashtu edhe Shkupi. Reagimi i shefit të diplomacisë bullgare vjen pas një paralajmërimi të presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski se “më 4 shkurt, në Shkup do të udhëtojë një grup bullgarësh, përfshirë politikanë, për të marrë pjesë në shënimin e ditëlindjes së Dellçevit”.

Pendarovski deklaroi se ka informacione që ky grup mund të shkaktojë incidente, ndaj edhe i ka propozuar qeverisë ndalimin e hyrjes së një deputeti të Parlamentit Europian nga Bullgaria e të disa personave të tjerë, shtetas të Bullgarisë. Kreu i shtetit shtoi se ka të dhëna se pas strukturave në Bullgari, që bëjnë fushata anti-maqedonase, qëndron shërbimi inteligjent rus.