Aktualitet Politikë

Tenderi 75 mln lekë / Fjalimet e Kuvendit do të zbardhen nga Inteligjenca Artificiale!

Fjalimet në Kuvend apo komisionet ndërparlamentare do të zbardhen me anë të Inteligjencës Artificiale.

Në një tender 75 mln lekësh të shpallur nga vetë Kuvendi, parashikohet transkriptimi automatik i fjalimeve, me ndihmën e sistemit inteligjent.

“Zbatimi i një sistemi inteligjent transkriptimi dhe shënimet e të dhënave do të lejojnë Kuvendin e Shqipërisë të transkriptojë automatikisht seancat plenare, takimet e komisioneve, të agregojë, shënojë dhe grupojë regjistrimet e folësve, gjë që do të përparojë agjendën e forcimit të transparencës legjislative përmes Teknologjisë së Informacionit, por jo vetëm. Një sistem si ky do të bënte të mundur sfidën për një parlament digjital dhe do të siguronte rritjen e produktivitetit, transparencën e plotë në kohë reale, si edhe dhe do të mundësonte analizë të sintetizuar të punës së organeve të Kuvendit, siç është rekomanduar nga projektet e mëparshme të IPA-s”, thuhet në aneksin e tenderit.

Aty argumentohet se gjatë ditës prodhohet mesatarisht 10 orë audio në ditë dhe është e pamundur për ekipin e redaktorëve të Kuvendit, ku punojnë 20 persona, t’i zbardhin ato, pasi ka disa zhvillime paralelisht.

Tenderi përfshin blerjen e sistemit të transkriptimit të të dhënave audio-video dhe mirëmbajtjen e tyre.

Kompanitë e interesuara për këtë shërbim, kanë vetëm një muaj kohë për paraqitjen e ofertave sipas kushteve të parashikuara.