Deputetet e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Dhurata Çupi prezantuan 6 propozime për paketën e masave lidhur me përballimin e ditëve të nxehta. Në një deklaratë për mediat, Vokshi propozoi shkurtimin e përgjithshëm të orarit të punës si në sektorin publik, edhe atë privat, maksimumi deri në orën 13:00. Sipas saj, këtu duhet të përjashtohen sektorë si shëndetësia, policia, ushtria, zjarrfikësit dhe çdo strukture me karakter emergjence.
Po ashtu, Vokshi propozoi që të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna të punojnë me orar të shkurtuar nga shtëpia.
Për sektorët që punojnë në ambient të hapur, siç është ndërtimi të konsiderohet orar i shkurtuar ose edhe pezullimi i plotë i punës gjatë ditëve të nxehta të kësaj jave. Mbyllja e plotë e çerdheve dhe kopshteve publike dhe private. Njëri prej prindërve të kujdeset për fëmijët kundrejt kompensimit të pagës. Për pensionistët që jetojnë vetëm apo për personat PAK, Posta Shqiptare të marrë masat me dërgimin e pensionit apo të pagesës së PAK në shtëpi, pa kosto shtesë financiare, u shpreh Vokshi.
Një tjetër propozim i PD-së ka të bëjë me ngritjen urgjente të grupeve ndërinstitucionale në nivel bashkie, të përgjigjes së menjëhershme për personat PAK, pensionistet dhe kategori të tjera në nevojë për çdo nevojë që mund të kenë për të blerë ilaçe, pazar ushqimor, asistencë në banesë duke vendosur edhe një numër kontakti falas, etj.
Ndërsa Çupi sqaroi se propozimet e PD-së parashikojnë që kostot financiare të shkurtimit të orarit të punës në sektorin privat apo të prindit që do të kujdeset për fëmijët në shtëpi apo kostot e tjera të përballohen nga fondi rezervë i Kryeministrisë.
Kursimi i energjisë parashikohet të jetë miliona euro. Kursim financiar dhe kohor do ketë edhe sektori shëndetësor, vuri në dukje Çupi.
Partia Demokratike kërkoi marrjen urgjente të masave të mësipërme, në mënyrë që të mbrohet shëndeti i qytetarëve e nga ana tjetër, të ekonomizohet edhe përdorimi i energjisë elektrike.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se këtë javë, vendi ynë pritet të përjetojë “ferrin mbi tokë”, me temperatura tepër të larta, si në vlerat maksimale, ashtu dhe ato minimale e të zgjatura në ditë. Kjo situatë vjen si pasojë e ndikimit të theksuar të Anticiklonit Afrikan (dhe jo vetëm pasi gradualisht bashkohet edhe me Anticiklonin e Azoreve) shoqëruar me masa ajrore të nxehta me origjinë nga Afrika e Veriut (shkretëtira e Saharasë).