Në Shtetet e Bashkuara, një grua akuzoi kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams për sulm seksual dhe të tjera vepra, të përfshira në një dosje të dorëzuar në gjykatë, duke pretenduar se ndodhën në vitin 1993 kur të dy punonin për qytetin e Nju Jorkut. Një zëdhënës i Adamsit i mohoi akuzat:
Kryebashkiaku nuk e njeh personin që e akuzon e nuk mban mend ta ketë takuar.
Akuza është pjesë e një vale padish të paraqitura këtë javë kundër figurave publike, në bazë të një Ligji për Viktimat e shtetit të Nju Jorkut, para skadimit të një afati një-vjeçar për ngritje të këtyre lloje akuzash për krime të shumë kohëve më parë. Ligji lejon që të tilla padi të ngrihen në gjykatë, përtej afatit ligjor.
Dosja e gjykatës së shtetit të Nju Jorkut me akuzat kundër Adamsit, ish-oficer policie, nuk ofroi detaje specifike për atë që ka ndodhur, por aty thuhet:
Natyra e këtij veprimi është sulm seksual, dhunë dhe punësim në bazë të gjinisë së paditësit, hakmarrje, ambient pune armiqësor e shkaktim i qëllimshëm shqetësimi emocional.
Në padi kërkohet dëshpërblim prej të paktën 5 milion dollarësh dhe përmenden qyteti i Nju Jorkut, Departamenti i Policisë së Nju Jorkut, Shoqata e Gardianëve të Departamentit të Policisë, një organizatë që përfaqëson oficerët me ngjyrë, si dhe tre persona të panjohur.
Departamenti i Policisë dhe Shoqata e Gardianëve nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Ndërkaq, një zëdhënës i Bashkisë reagoi në një email:
Kryebashkiaku nuk e di se kush është ky person. Nëse ata janë takuar ndonjëherë, ai nuk e mban mend. Por, ai kurrë nuk do të bënte gjëra për të dëmtuar fizikisht një person tjetër e mohon me forcë çdo pretendim të tillë.
Akuzat ndaj kryebashkiakut Adams pasojnë të tjera probleme ligjore, me të cilat po përballet. Më 6 nëntor, FBI-ja i sekuestroi dy telefonat e iPAD-in, në kuadër të një hetimi që sipas lajmit të bërë publik nga gazeta New York Times, lidhej me financimin e paligjshëm nga qeveria turke të fushatës së Adamsit, në zgjedhjet e vitit 2021. Avokati i Adamsit konfirmoi:
Kryebashkiaku po bashkëpunon në kuadër të një hetimi!
Por, nuk bëri të ditur se për çfarë bëhet fjalë.