Ishte një nga çiftet më jetëgjatë të showbiz-it, ashtu si dhe të sportit. Por lajmet e fundit tregojnë se lidhja 12-vjeçare midis yllit të muzikës Shakira dhe kampionit të Barcelonës Gerard Pique po shkon drejt përfundimit, në mos ka marrë fund. Sipas burimeve spanjolle, futbollisti 35-vjeçar ka lënë shtëpinë ku banonte me këngëtaren kolumbiane dhe dy fëmijët, për t’u transferuar në një apartament në qendrën e Barcelonës.
Arsyeja e këtij vendimi sipas mediave është një tradhti e zbuluar nga Shakira, që si protagoniste mund të ketë një vajzë 20-vjeçare ende misterioze. Pique dhe Shakira nuk janë martuar kurrë, por marrëdhënia e tyre ka qenë nga më të komentuarat nga viti 2010, kur u njohën gjatë fazës finale të Botërorit në Afrikën e Jugut, aty ku Shakira ishte edhe autorja e këngës zyrtare të kompeticionit, e famshmja “Waka Waka”. Gjithsesi, për sa kohë që një reagim zyrtar i çiftit ende mungon, fansat e shumtë vijojnë të ëndërrojnë një jetë të gjatë bashkë për dy personazhet e njohur.
Së fundmi, rikujtojmë se Gjykata spanjolle ka hedhur poshtë ankimin e këngëtares kolumbiane për evazion fiskal. Shakira do të përballet me gjyqin për mashtrim fiskal prej 14 milionë eurosh në Spanjë. Zyra e prokurorit publik pretendon se artistja ka jetuar në Spanjë për më shumë se gjysmën e vitit në secilin prej tre viteve, përkatësisht për më shumë se 183 ditë. Kjo do të nënkuptonte se ajo do të duhej të paguante tatimin mbi të ardhurat e saj në mbarë botën, në Spanjë.
Ndërkaq para disa kohëve, Shakira ka “hapur zemrën” dhe ka folur në lidhje me të gjithë paragjykimet që ka pasur në industrinë e muzikës për shkak të prejardhjes së saj. Ajo është shprehur se shpesh vihej në lojë për trafikimin e drogës, pasi në Kolumbi ky fenomen ndodh rëndom. Ylli i “Hips Don’t Lie” pozoi për kopertinën e numrit të nëntorit të revistës së famshme, “Glamour” dhe e pyetur për eksperiencën e saj në tregun global muzikor ajo u shpreh se është lënduar më së shumti nga paragjykimet që i janë bërë për shkak të të qenurit me origjinë nga Kolumbia.