Aktualitet Politikë

Tedi Blushi tjetër reagim për Metën: Dështoi skenari për eliminimin fizik të ish-presidentit!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, sërish reagoi në lidhje me arrestimin e ish-presidentit të Republikës dhe njëkohësisht kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mesditën e djeshme. Në një postim në rrjetin social Facebook, Blushi shkruan se “dështoi skenari kriminal destabilizues për eliminimin fizik të ish-presidentit”. Ndër të tjera, ai shton se “dhuna e përdorur ndaj Metës nuk do të tolerohet dhe nuk do të administrohet kurrë”.

Skenari kriminal destabilizues për eliminimin fizik të Presidentit Ilir Meta dështoi! Por skuadra terroriste që mori pjesë në rrëmbimin dhe dhunimin fizik të tij do të ndëshkohet pa mëshirë pavarësisht maskave në surrat! Dhuna e ushtruar, siç provon qartë kjo video, nuk do të tolerohet dhe kurrë nuk do të amnistohet!

Partia e Lirisë është duke mbledhur informacion për emrat e të gjithëve terroristëve që nga dje e kanë personale me çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot. Me reagimin e sotëm provokues të zarit ordiner të Edi Ramës në krye të Narkoministrisë së Brendshme dhe avokatisë që i bëri skuadriljes terroriste është e qartë se gjithçka ka qenë e urdhëruar nga lart. Askush nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit sipas përgjegjësive që ka patur në këtë akt terrorist!

Me urdhër të SPAK-ut, dje Ilir Meta u arrestua te Kthesa e Kamzës pas kthimit nga Kosova e ndërsa po i drejtohej selisë së Partisë së Lirisë ku kishte paralajmëruar një konferencë shtypi në orën 13:40. Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH që ndaluan makinën në rrugë e tërhoqën zvarrë. Për këtë operacion, sot në një postim të gjatë, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha iu përgjigj akuzave.

Kam ndjekur me vëmendje dhe respekt opinionet e një sërë analistësh të angazhuar mbrëmë, lidhur me ndalimin e shtetasit Ilir Meta, nga Policia e Shtetit. Fjalori ka qenë ekstrem për mënyrën sesi u ekzekutua urdhri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, ndaj shtetasit në fjalë. Janë përdorur etiketime të rënda ndaj Policisë dhe janë akuzuar efektivët e saj për faje, që nuk i kanë bërë, dhe reagimi ndaj rezistencës me forcë të personit, që kishin detyrë të ndalonin është nxjerrë jashtë kontekstit të ngjarjes.

Janë hedhur edhe variante alternative për mënyrën se si duhej kryer, ku duhej kryer, e kur duhej kryer ndalimi i shtetasit Ilir Meta, për shkak të asaj çka ai ka përfaqësuar në dekadat e jetës politike shqiptare. Nuk dua të bëj asnjë polemikë me zotërinjtë dhe zonjat e angazhuara, në ekranet e këtij diskutimi. Ata kishin mbrëmë, përtej pozicionimeve të njohura, edhe avantazhin e spektatorit në dhënien e gjykimeve, jashtë dinamikës dhe tensionit të ngjarjes. Por e ndjej për detyrë të shprehem në emër të atyre efektivëve, të cilët nuk e meritojnë trajtimin tejet tendencioz, që iu bë operacionit të tyre.

Për zbatimin e vendimit të Gjykatës u angazhuan efektivë të Forcës Lëvizëse Operacionale, forcë e posaçme e trajnuar dhe specializuar për të ndjekur protokollet standarde sipas rastit, dhe jo punonjës të Rendit, që është një forcë shërbimi ditor. Ata fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të. Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi.

Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua. Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në Polici. Nga ana tjetër, askush nuk e thotë dot, që ajo shfaqje e dhunshme kundërshtie, nuk do të kishte qenë e njëjta kudo tjetër, ku do të mund të bëhej ndalimi i tij.

Madje sipas analizës përgatitore të operacionit, në të tjera rrethana, rezultati mund të kishte qenë edhe më problematik për shijen e atyre, që mbrëmë e trajtuan Policinë si autore të një operacioni të dhunshëm. Por fatkeqësisht dhe çuditërisht, të gjithë ata “harruan”, që vetëm kundërshtimi i saj me dhunë dhe asgjë tjetër, e bëri të pashmangshëm shoqërimin me forcë të shtetasit Ilir Meta. Për pasojë edhe skenën shqetësuese!

Prandaj me keqardhje të sinqertë për pamundësinë e shmangies së shoqërimit të tij me forcë, jam po ashtu i keqardhur, që nuk bie dot dakord me optikën e akuzatorëve të mbrëmshëm të Policisë së Shtetit. Me fjalorin e tyre ekstrem ndaj efektivëve të saj, jo dhe jo. Kurrën e kurrës.

Dhe në fund, e shoh të nevojshme të nënvizoj një të vërtetë absolute dhe fare banale. Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg.

Pra, Policia e Shtetit dje kreu detyrën dhe u detyrua ta kryente duke përdorur forcën, për gjithë sa sqarova më lart, duke iu referuar dinamikës së ngjarjes, jo dëshirës, sesi do të kishte qenë më mirë të ndodhte apo të mos ndodhte.