Aktualitet Politikë

Tedi Blushi nxjerr FOTON: Ky është personi që ka rrëmbyer Ilir Metën, do bëhet drejtor i policisë së Tiranës!

Pas publikimit të listës së kandidatëve për garën e drejtuesve të Policisë në 12 qarqet e vendit, ku Volson Bala renditet me pikët maksimale, ka ardhur edhe reagimi i Partisë së Lirisë.

Në një postim në Facebook, sekretari i PL-së Tedi Blushi e akuzon drejtorin e Forcave Operacionale, se drejtoi operacionin për rrëmbimin siç e quan ai të Ilir Metës.

Duke publikuar foto të tij dhe të operacionit për arrestimin e kreut të PL-së, Blushi thotë se pritet ta shpërblejë atë në postin e drejtorit të Policisë së Tiranës, ndërsa paralajmëron se do ta kallëzojë atë penalisht.

Reagimi i Tedi Blushit:

Ky është VILSON BALA. Nga Shtoi i Shkodrës. Më 21 tetor 2024 drejtoi në shkelje flagrante të ligjit, Kushtetutës dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, operacionin kriminal të rrëmbimit banditesk të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Për këtë shërbim ordiner politik (për të cilin nuk do të mbetet pa ndëshkimin më të ashpër) Edi Rama pritet ta shpërblejë Vilson Balën me detyrën e lartë të Drejtorit të Policisë së Tiranës!

Madje e ka renditur të parin në listë! Vilson Bala do të kallzohet penalisht. Siç u kishim premtuar shqiptarëve, zbardhja me emra dhe fytyrë e të gjithë bandës së terroristëve të maskuar vijon!” shkruan Blushi.

Gara për drejtuesit e policisë në qarqe, duket se po sjell impulse të reja në radhët e uniformave blu.

Në listën e bërë publike zyrtarisht nga Policia e Shtetit, vihet re se në renditjen me pikëzimet më të larta janë emra të rinj, dhe jo drejtuesit aktualë në drejtoritë përkatëse.

Aplikantët me pikëzimin më të ulët, kanë afat dy ditë për të bërë ankim pranë Komisionit të Vlerësimit të Aplikantëve.