Aktualitet

Teatri i ri, Veliaj: Në vetëm ndërtojmë, opozita shkatërron!

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitektë të kompanisë “Bjarke Ingels Group” inspektuan punimet për ndërtimin e Teatrit të Ri. Ndërsa vuri në dukje ritmin e mirë me të cilin po ecin, si edhe cilësinë e ndërtimit, Veliaj tha se brenda vitit të ardhshëm pritet të mbarojë ndërtimi i karabinasë.

Kjo është një vepër e vërtetë arti. Pra, jo vetëm do të bëhet art brenda mureve, por vetë godina e Teatrit është një vepër arti që do t’i mbetet qytetit për 100 vitet e ardhshme. Kur ajo kasollja që kishim zgjati për 80 vjet, imagjino kjo që po investohet për brezat e nipave e mbesave tona. Eshtë shumë e rëndësishme të bëjmë diçka me cilësi. Më vjen mirë që nuk kemi çeduar te cilësia, teksa shpejtojmë punimet. Ne presim që deri në fund të tetorit apo fillimi i nëntorit të kemi dalë në nivelin zero, që me hapjen e kohës, në pranverë, të punojmë pak më shumë në lartësi, në mënyrë që gjatë vitit tjetër të kemi përfunduar karabinanë.

Jam vërtet entuziast dhe dua që ta shtojmë ritmin e punës. Në fazën e dytë do të punojmë për pjesët teknike e besoj shumë fort që për një vit e pak, të kemi mundësi të vëmë veprën e parë. I shkon Tiranës, sidomos vitin tjetër kur do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës. Duam që të lëmë pas jo vetëm një kalendar shumë të pasur të ngjarjeve, të aktiviteteve të kulturës, por të lëmë pas edhe një bizhu.

Duke e konsideruar projektin “një skulpturë që do të mbetet pajë për brezat e ardhshëm”, Veliaj vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me kompaninë e njohur daneze. Kryebashkiaku tha se projekti transformues mori vlerësime edhe nga aktorët shqiptarë, me të cilët inspektoi punimet disa ditë më parë.

Kjo punë kështu është ndarë: disa do djegin e do shkatërrojnë, disa do krijojnë dhe do ndërtojnë. Ne jemi te skuadra që krijon e ndërton, disa kanë zgjedhur një skuadër tjetër që shkatërron dhe djeg, por demokracia kjo është. Për sa kohë që po e bëjmë teatrin aty ku ishte, por më të bukur, më të madh e më të fortë se ç’ishte, jemi të larë me historinë dhe me besimin që na kanë dhënë qytetarët e këtij qyteti fantastik.

Ndërkaq, arkitektja e kompanisë BIG, Catherine Huang, tha se ndihet e nderuar që ka mundësinë të kontribuojë për një qytet të bukur si Tirana.

Mendoj se kemi pasur gjithmonë një respekt të thellë për ambicien dhe vizionin tuaj. Na pëlqen vërtet ideja për të krijuar diçka për publikun, për të pasuruar jetën publike. I ndërtuar në sfondin e kësaj rruge do të jetë shumë e bukur. Ndihem shumë e nderuar që punoj me njerëz të mrekullueshëm, në një mënyrë që na lejon të sigurohemi që cilësia të jetë më e larta. Ka një nivel të lartë inovacioni, kështu që ne jemi gjithashtu shumë të emocionuar që po punojmë së bashku duke krijuar zgjidhje. Ne mezi presim që të ndihmojmë për të ofruar një teatër me cilësinë më të lartë të hapësirës për Tiranën. Ndihemi shumë të nderuar që jemi pjesë e kësaj.