Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka shpallur 1 tetorin, Ditën Ndërkombëtare të të Moshuarve dhe tema e këtij viti është: “Të plakesh me dinjitet”. Plakja e popullsisë është një prirje globale që riformëson shoqëritë në mbarë botën.
Tani, jetëgjatësia i kalon 75 vjet në gjysmën e vendeve të botës, 25 më shumë se më 1950-ën. Deri në vitin 2030, parashikohet që të moshuarit të tejkalojnë numrin e të rinjve në nivel global e rritja të jetë më e shpejtë në vendet në zhvillim.
Ndërsa popullsia plaket, kërkesa për kujdes shëndetësor gjithëpërfshirës, kujdes dhe shërbime mbështetëse sociale është rritur ndjeshëm, veçanërisht për personat e moshuar që vuajnë nga demenca.
Numri i njerëzve të moshës 65 vjeç e lart në mbarë botën, parashikohet të dyfishohet, duke u rritur nga 761 milion në vitin 2021 në 1.6 miliardë në vitin 2050. Numri i njerëzve të moshës 80 vjeç e lart po rritet edhe më shpejt. Individët që arrijnë moshën 65 vjeç pritet të jetojnë mesatarisht 16.8 vjet shtesë.
Në vitin 2018, u arrit një moment historik kur numri i të moshuarve tejkaloi fëmijët nën pesë vjeç për herë të parë në histori. Deri në vitin 2030, popullsia globale e të moshuarve parashikohet të tejkalojë numrin e të rinjve dhe të jetë sa dyfishi i fëmijëve nën 5 vjeç.
Në vendin tonë, më 18 shtator, Këshilli i Ministrave miratoi indeksimin e pensioneve në masën 4.1% e përfitues janë mbi 791 mijë pensionistë. Efekti financiar nis nga sot, siç bëri të ditur ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Pensionet e skemës urbane mesatare rriten me 752 lekë e ato rurale, në vlerën e 453 lekëve.
Nga rritja e pensioneve përfitojnë rreth 791,257 përfitues sipas numrit të përfituesve aktual dhe planifikimit të përfituesve të ardhshëm deri në datë 31.12.2024. 721,705 janë pensione nga skema e detyrueshme dhe 68,613 janë pensione nga programe të veçanta të qeverisë, skema suplementare apo trajtime të veçanta. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 1,693,000,000 (një miliard e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre milion) lekë, për tre muajt e fundit të vitit 2024, të cilat përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH-së.
Nga mesi i muajit pritet të nisin dhe konsultimet për rishikimin e skemës së pensioneve. Ministri i Ekonomisë vuri në dukje se edhe bonusi i fundvitit për pensionistët do të rishikohet e do të jetë më i lartë se vitet e tjera.