Bota

Të plagosur nga sulmet ruse në rajonin ukrainas të Harkivit!

Trupat ruse bombarduan Harkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme, siç dhe bëri të ditur kryebashkiaku Ihor Terekhov përmes një postimi në Telegram.

Dëme pësuan disa ndërtesa banimi e një garazh publik.

“Në një sulm të ngjashëm në Derhaçi, një qytet i vogël rreth 15 kilometra në veri të Harkivit u plagosën disa persona”, përfshirë një fëmijë, deklaroi guvernatori i Harkivit, Oleh Synyehubov në një tjetër raportim për mediat.

Sipas personelit mjekësor, pesë persona, përfshirë një djalë 14-vjeçar mbetën të plagosur.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Muajin e kaluar, forcat ruse kryen dhjetëra sulme ajrore në kryeqytetin Kiev e në qytete të tjera të Ukrainës, duke shënjestruar infrastrukturën e energjisë, atë të ushtrisë e të transportit po ashtu.

Autoritetet ukrainase raportuan për dhjetëra civilë të vrarë në këto sulme. Rusia mohon se shënjestron zonat civile, pavarësisht provave që në terren dëshmojnë për të kundërtën. Madje, nuk janë kursyer as spitalet.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka pranuar raportime që thonë se presidenti rus, Vladimir Putin, po planifikon të sulmojë centralet e energjisë bërthamore dhe infrastrukturën në Ukrainë, me qëllim që t’i shkëpusë uzinat nga rrjeti elektrik.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Zelensky tha:

Çdo sulm raketor apo me dron, çdo incident kritik në sistemin e energjisë mund të çojë në katastrofë bërthamore. Moska duhet ta kuptojë këtë dhe kjo varet pjesërisht nga vendosmëria juaj për t’i bërë presion agresorit. Larg qoftë, por nëse Rusia shkakton katastrofë bërthamore në një nga centralet tona bërthamore, rrezatimi nuk do të njohë kufij.

Zelensky iu bëri thirrje udhëheqësve botërorë që të vazhdojnë të mbajnë në krye të axhendës së tyre luftën e shtetit të tij kundër pushtimit të nisur nga Rusia, si dhe paralajmëroi se shefi i Kremlinit, Putin synon që të marrë edhe më shumë territor.

Mendoj se çdo lider, çdo shtet që na mbështet… e sheh se si Rusia, një shtet mbi 20 herë më i madh se Ukraina me territor, dëshiron më shumë tokë.