Bota

Të pashembullta ndryshimet e fundit në klimën e Tokës, ku po shkohet me këto ritme?

Ndryshimet e fundit në klimën e Tokës janë të pashembullta.

Në këtë përfundim del një raport i ri për klimën, i formuluar nga Kombet e Bashkuara dhe i publikuar sot. Pa rezerva e me një gjuhë të drejtpërdrejtë, dokumenti i IPCC-së, Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike thekson:

Pa asnjë mëdyshje, faji është aktiviteti njerëzor. Shkalla e ndryshimeve të fundit në të gjithë sistemin klimatik në tërësi dhe gjendja aktuale e shumë aspekteve të këtij sistemi, janë të pashembullt gjatë shumë shekujve deri në mijëra vjet.

Nisur nga dëshmitë e disponueshme, autorët besojnë se përqëndrimet e dioksidit të karbonit ishin më të larta në 2019-ën se në çdo vit tjetër, të paktën dy milionë vitet e fundit.

Nga 1970-ta, temperatura globale e sipërfaqes së Tokës u rrit më shpejt se në çdo periudhë tjetër 50-vjeçare gjatë të paktën 2 mijë viteve të fundit.

Raporti u përpilua nga 234 ekspertë nga 66 vende dhe është më i gjithanshmi i publikuar nga Paneli i OKB-së që nga 2013-ta. IPCC citon të tjera tendenca historike të klimës së drejtuar nga njeriu, përfshirë faktin që mes viteve 2011-2020, mesatarja vjetore e akullit të detit Arktik ishte më e ulëta që nga 1850-ta.  Po ashtu, niveli global i detit u rrit më shpejt që nga 1900-ta sesa gjatë çdo shekulli paraardhës, në të paktën 3 mijë vitet e fundit.

Ndikimi njerëzor është nxitësi kryesor i tërheqjes së akullnajave në të gjithë globin gjatë tre dekadave të fundit, shkrirjes së shtresës së akullit të Groenlandës dhe uljes së mbulimit të dëborës pranverore në Amerikën e Veriut.