Aktualitet

Të paktën dhjetë të vdekur nga shpërthimi i vullkanit në Indonezi!

Të paktën dhjetë persona kanë gjetur vdekjen pas shpërthimit të vullkanit në malin Levotobi Laki-laki, në lindje të Indonezisë, rreth mesnate. Për shkak të llavës, autoritetet indoneziane u detyruan që të evakuojnë disa fshatra në zonën përreth.

Në malin Levotobi Laki-laki, vullkani që gjendet në ishullin Flores, shpërtheu më 23:57, sipas orës lokale duke nxjerrë llavë, hi vullkanik e shkëmbinj vullkanikë siç deklaroi Hadi Wijaya, zëdhënës i Qendrës për Vullkanologji dhe Uljen e Rrezikut Gjeologjik.

Pas shpërthimit, pati shkëputje të energjisë elektrike dhe më pas ra shi e kishte shkarkime rrufesh që shkaktuan panik te banorët, deklaroi ai për agjencinë Reuters, duke shtuar se autoritetet kanë ngritur në nivelin më të lartë alarmin për rrezikun nga vullkani.

Qendra për Vullkanologji vuri në dukje se duhet të pastrohet zona prej 7 kilometrash nga krateri. Hadi tha se llava dhe shkëmbinjtë vullkanikë goditën vendbanimet rreth 4 kilometra larg nga krateri, duke djegur shtëpitë e banorëve. Autoritetet në Indonezi deklaruan se të paktën shtatë fshatra janë prekur nga shpërthimi i vullkanit.

Ne kemi nisur evakuimin e banorëve nga mëngjesi edhe në fshatrat e tjera që gjenden rreth 20 kilometra larg nga krateri.

Agjencia për Fatkeqësitë e Indonezisë dha alarmin se mund të ketë përmbytje. Qeveria lokale ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për 58 ditët e ardhshme çka nënkupton se qeveria mund të ndihmojë deri në 10 mijë banorë të prekur. Indonezia gjendet në “Unazën e Zjarrit në Paqësor”, një zonë ku ka aktivitet të madh sizmik, si dhe ka disa pllaka tektonike.

Shpërthimi më i fundit pason një sërë shpërthimesh po vullkanike. Në muajin maj, një vullkan në ishullin Halmehera, në malin Ibu, detyroi shtatë fshatra të evakuoheshin. Vullkani në Sulavesi po ashtu shpërtheu në maj, duke detyruar 12 mijë persona të evakuoheshin. Vërshimet dhe llava e ftohtë nga mali Marapi në Sumatra në muajin maj vrau më shumë se 60 persona.