Bota

Të paktën 95 viktima të përmbytjeve në Spanjë/Nga sot, tre ditë zie!

Vijon të rëndohet bilanci i viktimave nga përmbytjet e mëdha në Spanjë. Janë të paktën 95 të vdekur nga fatkeqësia më e rëndë natyrore që ka goditur kohët e fundit vendin europian ku rrugët fshatrash u kthyen në lumenj, si dhe u shkatërruan shtëpi apo u ndërpre transporti.

Stuhitë dhe reshjet që filluan të martën e vazhduan dje shkaktuan përmbytje në të gjithë Spanjën jugore e lindore, duke u shtrirë nga Malaga në Valencia. Përrenjtë me baltë përmbysën me shpejtësi të madhe automjetet në rrugë ndërsa mbeturinat dhe objekte shtëpiake rrotulloheshin në ujë. Policia me shërbimet e shpëtimit përdorën helikopterët për të evakuuar njerëzit nga shtëpitë e gomone për të shkuar te shoferët e bllokuar mbi mjete.

Në rajonin lindor të Valencias, urgjenca konfirmoi 92 viktima, dy të tjerë u raportuan në rajonin fqinj Castilla La Mancha ndërsa Andaluzia jugore raportoi një vdekje.

Dje (e martë 29 tetor) ishte dita më e keqe e jetës sime, tha Ricardo Gabaldón, kryebashkiaku i Utielit, një qytet në Valencia, për transmetuesin kombëtar RTVE.

Qeveria e Spanjës shpalli tre ditë zie duke filluar nga sot.

Për ata që kërkojnë të dashurit, e gjithë Spanja ndjen dhimbjen tuaj, tha kryeministri Pedro Sánchez në një fjalim në televizion.

Personeli i kërkim-shpëtimit dhe mbi 1 mijë e 100 ushtarë nga njësitë e reagimit të shpejtë të Spanjës u dislokuan në zonat e prekura. Qeveria qendrore e Spanjës krijoi komitet krizash për të koordinuar përpjekjet e shpëtimit.

Një qytet i Valencias, Paiporta, pësoi humbje të jashtëzakonshme. Kryebashkiaku Maribel Albalat i tha kanalit RTVE se mbi 30 persona vdiqën në qytetin me rreth 25 mijë banorë. Ndër ta ishin gjashtë të një azili për të moshuarit. Edicionet e lajmeve transmetuan pamje të të moshuarve në karrige e në karrige me rrota në Paiporta, disa duke bërtitur me tmerr të dukshëm ndërsa uji u ngjitej mbi nivelin e gjunjëve.

Shërbimi Kombëtar i Motit në Spanjë raportoi se ra më shumë shi në tetë orë në Valencia se në 20 muajt e mëparshëm, duke e quajtur përmbytjen “të jashtëzakonshme”. E vendosur në jug të Barcelonës në bregdetin e Mesdheut, Valencia është një destinacion turistik i njohur për plazhet e saj dhe pemët e agrumeve. Rajoni ka gryka dhe shtretër lumenjsh të vegjël që gjatë pjesës më të madhe të vitit qëndrojnë plotësisht të tharë, por që mbushen me shpejtësi me ujë kur bie shi. Shumë prej tyre kalojnë përmes zonave të populluara.

Spanja ka përjetuar stuhi të ngjashme gjatë stinës së vjeshtës në vitet e fundit. Asgjë, megjithatë, nuk mund të krahasohet me shkatërrimet e dy ditëve të fundit, të cilat të sjellin në mendje përmbytjet në Gjermani dhe Belgjikë në vitin 2021, me 230 viktima. Numri i të vdekurve mund të rritet ndërsa të tjera rajone vazhdojnë të raportojnë për viktima dhe përpjekjet e kërkimit vazhdojnë aty ku shkohet me vështirësi.