Bota

Të paktën 100 viktima nga përmbytjet në Indonezi e Timorin Lindor

Moti i keq me shira të rrëmbyer, përmbytje e rrëshqitje të dherave ka goditur Indonezinë e Timorin Lindor duke shkaktuar të paktën 101 viktima. Dhjetëra të tjerë ende rezultojnë të zhdukur e bilanci pritet të rëndohet. Përmbytjet dhe balta vërshuan drejt mijëra shtëpive çka po vështirëson operacionet e kërkim-shpëtimit në terren. Paralelisht po zhvillohen evakuime por raportohet se të shumtë janë ata që qëndrojnë në shtëpi e kanë nevojë për ushqime, ilaçe e batanije.

Presidenti indonezian, Joko Widodo iu shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, si dhe iu bëri thirrje qytetarëve të ndjekin me përpikmëri këshillat e zyrtarëve të emergjencave ndërsa vendi vazhdon i mbërthyer nga vala e motit të keq.

Kam dhënë urdhër që përpjekjet për të lehtësuar pasojat të zhvillohen me shpejtësi e në mënyrën e duhur. Të garantohet asistencë shëndetësore, si dhe të mundësohet logjistika për të mbuluar nevojat thelbësore të personave të evakuar. Po ashtu, të riparohet infrastruktura e dëmtuar.

Gjatë sezonit të shirave, rrëshqitjet e dherave e përmbytjet nuk janë të pazakonta në Indonezi. Për të njëjtat shkaqe, në janar të këtij viti humbën jetën 40 persona në qytetin Sumedang. Sipas vlerësimeve të autoriteteve indoneziane, rreth gjysma e popullatës, diçka te 125 milionë njerëz, jetojnë në zona të rrezikuara nga rrëshqitjet e dherave në Indonezi.