NASA do të rikthejë në Tokë dy astronautët e mbetur në hapësirë, Sunita ‘Suni’ Williams dhe Barry ‘Butch’ Wilmore, me anë të një anije kozmike të SpaceX në shkurt të vitit 2025, njoftoi agjencia hapësinore gjatë një konference për shtyp të shtunën. Dyshja, që u nis drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës për një mision tetë-ditor më 5 qershor, tashmë kanë të mbetur në hapësirë për më shumë se dy muaj për shkak të problemeve me anijen hapësinore Boeing Starliner.
Misioni Crew-9 i SpaceX, i planifikuar për fund të shtatorit, do të niset me vetëm dy pasagjerë në vend të katërve të planifikuar fillimisht. Mjeti i SpaceX do të qëndrojë i ankoruar në ISS deri në shkurt, kur do të kthehet me ekuipazhin e tij dhe dy astronautët e mbetur.
“NASA ka vendosur që Butch dhe Suni do të kthehen me Crew-9 në shkurtin e ardhshëm, dhe që Starliner do të kthehet pa ekuipazh. Detajet e sakta të orarit do të diskutohen…Boeing ka punuar shumë me NASA-n për të marrë të dhënat e nevojshme për të marrë këtë vendim. Ne duam të kuptojmë më mirë shkaqet themelore dhe të kuptojmë përmirësimet e dizajnit që Starliner i Boeing do të shërbejë si një pjesë e rëndësishme e aksesit të sigurt të ekuipazhit tonë në ISS,” tha Shefi i NASA-s Bill Nelson.
Ky vendim erdhi pas një takimi të shtunën, ku Nelson u konsultua me një komitet vendimmarrës për të shqyrtuar mundësitë e kthimit të dy astronautëve veteranë.
“Ai më shprehu qëllimin që do të vazhdojnë të punojnë për zgjidhjen e problemeve pasi Starliner të kthehet në mënyrë të sigurt,” tha ai duke iu referuar CEO-së së Boeing, Kelly Ortberg.
Çfarë ndodhi me Boeing Starliner?
Anija Starliner më në fund u lëshua në hapësirë në fillim të qershorit, duke transportuar astronautët Wilmore dhe Williams në ISS. Fillimisht, plani ishte që anija t’i kthente ata në Tokë pas tetë ditësh në hapësirë. Megjithatë, NASA e shtyu kthimin e tyre teksa hetonte problemet me sistemin e shtytjes së mjetit.
Inxhinierët e Boeing dhe NASA-s kanë testuar në mënyrë rigoroze sistemet e Starliner për të diagnostikuar problemin, të shqetësuar se mjeti hapësinor mund të mos ketë fuqinë e nevojshme për të dalë nga orbita dhe për të nisur zbritjen drejt Tokës. Nëse NASA konstaton se Starliner është i pasigurt, ai do të kthehet pa pasagjerë; ndërsa kapsula e SpaceX do të transportojë përsëri Williams dhe Wilmore. Një skenar i tillë do të dëmtonte më tej reputacionin e Boeing, i cili tashmë është dëmtuar nga problemet e fundit të sigurisë dhe kontrollit të cilësisë në divizionin e tij të avionëve.
NASA ka siguruar që ekuipazhi i ISS ka furnizime të bollshme, është trajnuar për misione të zgjatura dhe ka plot eksperimente për t’i mbajtur të angazhuar.