Aktualitet Politikë

Të ndarë në 2 kampe! Ja kush janë demokratët pro Berishës dhe ata pro Bashës (EMRAT)

Data 11 dhjetor, ditë kur ish-kryeministri Sali Berisha pretendon mbledhjen e Kongresit Kombëtar të PD-së, është pranë! Me çdo ditë që kalon, duket se në radhët e tij shtohen mbështetësit, duke dalë nga radhët e kryedemokratit Lulzim Basha për t’ju bashkuar “Foltores”. Dy të fundit janë Albana Vokshi dhe kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi.

Të zhgënjyer nga kryetari i partisë që nisni procedurat për zgjedhje në forumet (FRPD dhe LDGSH) që të dy drejtojnë prej vitesh. Por nuk janë të vetmit. Që në ditën që lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha u përjashtua përkohësisht nga grupi parlamentar i Partisë Demokrarike, kundër menjëherë doli Flamur Noka, i cili doli me akuza të forta nga selia blu. Ndërsa gjithë ironi ndaj kryedemokratit foli edhe Bujar Leskaj, duke e lënë të kuptohet qartë pozicionin e tij me ish-kryeministrin. Të nesërmën në Kuvend krah Berishës, radhët u shtuan edhe me Edi Palokën dhe Tritan Shehun.

Më pas, të tjerë shtohen me çdo “Foltore”. Duke nisur që nga ajo e Tiranë, ku edhe u shfaq deputeti i Tropojës, Isuf Çela. Në Fier, Berisha u prit nga Luan Baçi, ky i fundit gjithashtu është kthyer në një zë të ashpër kundër Bashës. Edmond Spaho mblodhi të gjithë demokratët në Korçë, duke risjellë edhe ish-ministrin Genc Pollo në organizime politike pas shumë vitesh shkëputje. Po ashtu, në Korçë, Berisha mori me vete edhe deri diku të panjohurën, Sorina Koti, aktualisht nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, si përfaqësuese e PD. Në Elbasan, Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi bashkuan forcat për të mbështetur aksionin e “opozitës kundër opozitës”.

Ndërkohë Basha ka nga ana tjetër “të besuarit” e tij. Në dalje publike e kudo; Gazmend Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Grida Duma, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Oriola Pampuri dhe Ervin Salianji kanë dalë hapur pro Bashës. Në daljet e tyre, ata përsërisin të njëjtin referen: Vendimi duhej marrë nga vetëm kryedemokrati; ai vendosi për të mirën e partisë; na duhen marrëdhëniet e mira me SHBA, e të tjera shumë si këto.

Ndërsa ndryshe nga të gjithë me tonë më të zbutura është shfaqur Alfred Rushaj, por sërish anon nga kryedemokrati Basha. Megjithatë ka edhe “asnjëanës”. Tomor Alizoti dhe deputeti i qarkut të Kukësit, Flamur Hoxha janë shprehur nga se interesat i kanë të vetëm për qytetarët e qarqeve të tyre, jo për kryetarët e Partive.