Sport

“Të luajmë bashkë Superkupën Maradona”, Italia merr propozimin nga…

Nga Maracana, Wembley e deri te Diego Armando Maradona. Nga Argjentina vjen një propozim provokues, nisur nga gazeta ‘Olè’, që gjithashtu mund të mirëpritet nga të dy federatat e futbollit të vendeve respektive: një ndeshje miqësore mes fituesve të Copa America, Argjentinës dhe atyre të “Euro 2020”, Italisë, për trofeun “Superkupa Maradona” në nder të El Pibe de Oro, i cili ndërroi jetë më 25 nëntor 2020.

Kalendari i ngjeshur i ekipeve kombëtare nuk ndihmon aspak për të gjetur një datë të dobishme për sfidën e madhe, por ideja është nisur dhe fakti që në nëntor të 2022 nuk do të ketë Kupë Konfederatash, sepse Kupa e Botës do të luhet në Katar, e bën pak më të mundshme. Gazeta ka shkruar se për momentin është vetëm ide, por mund të përfitohet nga marrëdhënia e mirë midis ‘UEFA’-s dhe ‘CONMBEOL’ për të bërë diçka konkrete në këtë rast.

Por ku do të luhej kjo super ndeshje mes ekipit kombëtar të Mancinit, që u kthye në majën e Evropës pas 53 vitesh dhe atij të Scalonit që fitoi Kupën e Amerikës pas 28 vitesh? Sa i përket stadiumit nuk do të përbënte problem, pasi do të zgjidhej një ndërmjet impiantit ‘’Maradona’’ në Napoli dhe ‘’Maradona’’ në Buenos Aires të Argjentinës. Kjo ide është bërë virale duke u mirëpritur nga të gjithë tifozët e futbollit.

Rikujtojmë, se me pesë gola të shënuar, Cristiano Ronaldo ka fituar çmimin “Këpuca e Artë”, si golashënuesi më i mirë në Kampionatin Evropian, ‘Euro 2020’. Superylli portugez shënoi në të gjitha ndeshjet e fazës grupore, megjithatë dështoi të realizonte ndaj Belgjikës në 1/8 e finales kur Portugalia u eliminua.