Moderatorja e njohur Ellen DeGeneres ka dhënë së fundmi miliona dollarë shpërblime për punonjësit e saj. Një burim ka treguar për “NY Post” se Ellen dhe kompania e prodhimit ‘Warner Bros’ punuan së bashku për t’u siguruar që çdo person të merrte shpërblimin e tij përpara se emisioni të përfundonte. Burimi shtoi se komediania ka qenë tepër bujare me punonjësit që nga fillimi i shfaqjes në 2003. Gjatë sezonit të saj të fundit në “The Ellen DeGeneres Show” ajo u ka dhuruar të gjithëve udhëtime, orë, makina.
‘Deadline’ raporton gjithashtu se stafi ka marrë disa letra që konfirmojnë se ‘Warner Bros’ planifikon të zgjasë mbulimin e kujdesit shëndetësor për gjashtë muaj pas përfundimit të programit. Ndërkohë, DeGeneres ka zbuluar miqtë të cilët do të paraqiten në episodin e fundit më 26 maj. Në dy muajt e ardhshëm, ish-zonja e parë e SHBA-ve Michelle Obama do të rikthehet në shfaqje, si dhe Channing Tatum, Serena Williams, Zac Efron dhe Adam Levine. Diane Keaton, Kim Kardashian dhe vetë gruaja e DeGeneres, Portia de Rossi, janë planifikuar gjithashtu të jenë të ftuara.
Një burim ka treguar për “Daily Mail” gjithashtu se Ellen nuk dëshiron më ta vazhdojë programin pasi i ka ardhur në majë të hundës me gjithçka. Moderatorja u përfshi disa kohë më parë në një skandal të madh, pasi punonjësit e saj e akuzuan për keqtrajtim në punë. Më pas u tha se ajo hoqi dorë nga drejtimi i “The Ellen Show” por duket se u rikthye përsëri. Pasi Ellen ka thënë se do të largohet NBC ka qenë në kërkim të pasardhëses së moderatores së njohur.
Drejtuesit televiziv janë përpjekur shumë për të gjetur personin e duhur dhe pas shumë mundësive, ata ndaluan tek Kelly Clarkson, menduar si “trashëgimtarja” e Ellen. Nëse gjërat nuk shkojnë sipas planit, NBC kanë një plan B, që shkon përtej formacionit aktual. Emri i Tiffany Haddish është përfolur gjithashtu, sepse ajo ka korrur një sukses relativisht të madh. Producentët tregojnë se nëse e merr ajo këtë show, formati do të ketë ndryshime të mëdha.